Dy shqiptarë janë prangosur nga karabinierët në Noicattaro, rajoni i Puglias, bashkë me një italian e një rumun, pasi iu është kapur një sasi e madhe droge dhe parash të ardhura nga shitja e saj.

Operacioni nisi kur karabinierët përgjuan e ndoqën një person të dyshimtë natën e kaluar, deri sa e kapën në flagrancë duke bërë pazar droge me një shqiptar.

Italiani 23-vjeçar u kap teksa mori një zarf me 45 mijë euro nga një shqiptar, 33 vjeç, në këmbim të 55 pakove hashash, me peshë 5 kile, një pako kokainë me peshë 1.1 kile, dhe 10 pako heroinë, me peshë mbi 5 kile.

Pas ndalimit të të dyve dhe sekuestrimit të parave dhe drogës, karabinierët ushtruan kontroll në banesën e shqiptarit, që është rezident i asaj zone. Atje gjendej një tjetër shqiptar, 20 vjeç, dhe një 44-vjeçar rumun.

Kontrolli zbuloi një qese me marijuanë, me peshë 559 gramë, 10 pako hashash, rreth 1 kile, 48 gramë kokainë dhe 332 gramë heroinë. Veç këtyre, edhe një pistoletë me municion si dhe 75 mijë euro të ardhura nga tregtia e drogës.

Katër personat u prangosën dhe u dërguan në burgun e Barit në pritje të procesit me akuzën për zotërim e trafik droge.

Artikulli paraprakQËLLOHET ME DY PLUMBA I RIU SHQIPTAR ,PO PINTE KAFE
Artikulli tjetërVODHI DY TELEFONA DHE NJË PORTOFOL, ARRESTOHET 34- VJEÇARI