Në gjysmën e parë të këtij viti, Gjermania deportoi 6198 të huaj nga vendi, listë e cila kryesohet nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Autoritetet federale gjermane informuan Bundestagun se 6198 të huaj u dëbuan nga vendi nga janari deri në qershor të këtij viti, pas një kërkese për informacion të deputetëve të partisë së Majtë, raportoi media të premten. Nga këto deportime, shtetësia më e përfaqësuar ishte ajo e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Një total prej 454 personash u deportuan nga Gjermania në Maqedoninë e Veriut në periudhën 6-mujore. Shqiptarët ishin në vendin e dytë me 402 persona të deportuar. Pas Shqipërisë, shtetasit e tretë dhe të katërt më shumë të deportuar ishin gjerogjianët dhe turqit.
Shqipëria mban deri tani vendin e parë mes shteteve të Ballkanit për numrin e azilkërkuesve në BE, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2021. Atë vit, një total prej 13,210 azilkërkuesish nga Shqipëria u regjistruan, kryesisht në Francë, Belgjikë dhe Gjermani. Maqedonia e Veriut renditet e dyta pas Shqipërisë sa i përket njerëzve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Në vitin 2021, 3, 020 aplikime për azil nga Maqedonia e Veriut u regjistruan në BE. Në vitin 2015, Gjermania u përpoq të frenonte fluksin duke listuar Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën si “vende të sigurta origjine” për të shkurajuar njerëzit që të aplikonin. Por shifrat e mëvonshme tregojnë se një fluks i qëndrueshëm i azilkërkuesve shqiptarë ka vazhduar që atëherë, si në Gjermani ashtu edhe në vendet e tjera të BE. Autoritetet britanike thanë gjithashtu të enjten se më shumë se gjysma e emigrantëve që kalonin me varka Kanalin Anglez për të mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar ishin nga Shqipëria – një rritje domethënëse nga viti i kaluar sipas raportimit të Politico. Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, 2,156 shqiptarë ishin regjistruar të mbërrinin në Britani gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2022, krahasuar me vetëm 23 nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në Gjermani, një marrëveshje koalicioni mes Partisë Social-Demokrate të kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbërve dhe Liberalëve parashikon “një ofensivë dëbimi me qëllim përmbushjen e detyrimit për t’i larguar nga vendi,” tha Ministria e Brendshme gjermane sipas raportimit të DW të premten.
“Në rastet [që kanë të bëjnë] me shkelësit apo personat e rrezikshëm, ekzistojnë rregullore për të lehtësimin e deportimit përmes urdhrave të ndalimit përpara dëbimit të tyre,” shtoi ministria.
Por Partia e Majtë në Bundestagun gjerman, e cila kërkoi të dhënat e reja të deportimeve, e ka kritikuar politikën e autoriteteve për organizimin e së ashtuquajturve “mini-fluturime charter” gjatë viteve të fundit për të dëbuar të huajt që janë urdhëruar të largohen nga vendi, si dhe shpenzimet e bëra për këtë qëllim. Clara Bunger, një zëdhënëse e së Majtës i tha medias gjermane se “të dhënat se sa burime janë të gatshme të shpenzojnë qeveritë lokale dhe ajo federale për t’i dëbuar njerëzit nga vendi të lënë pa fjalë,” raportoi DW. Sipas përgjigjes që qeveria federale i dha kërkesës për informacion të së Majtës, në gjysmën e parë të këtij viti një total prej 35 personash u dëbuan përmes fluturimeve charter dhe 167 oficerë policie ishin përfshirë në proces, me një kosto të përgjithshme prej 580,000 eurosh.