Mungesa e fuqisë punëtore është një fenomen që është hasur në shumë vende të botës dhe së fundmi po ndjehet edhe në Shqipëri.
Punëtoret shqiptarë janë duke parë gjithmonë e më shumë si zgjidhje për të punuar vendet e BE-së, ndërkohë që në qytete të ndryshme kërkesa për vende pune dhe për punonjës të thjeshtë apo të kualifikuar sa vjen e rritet.
Ndërkohë që në kryeqytet rekrutimet për punonjës të bareve dhe restoranteve janë fokusuar kryesisht në rajon.
Përfaqësuesi i Shoqatës së bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj tha për Monitor se mungesa e fuqisë punëtore është problemi më madhor që ka aktualisht sektori, veçanërisht në muajt e verës. Në këtë periudhë sipas Jahaj drejtuesit e bareve dhe restoranteve i kanë kthyer sytë për punësime nga rajoni.
“Nuk pritet që kjo krizë të gjejë ndonjëherë zgjidhje, pasi edhe zbatimi i politikës për të sjellë punonjës nga vendet e Azisë rezultoi se u përdor nga ta si trampolinë për të emigruar drejt Europës apo vendeve të tjera. Shumica e tyre vijnë me dy pasaporta dhe largohen pas 1 jave, pavarësisht se bizneset kanë investuar për ardhjen e punonjësve, që nga kontratat e punës dhe taksat që paguan. Shteti shqiptar nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtyre problematikave, që sërish i ngelet sektorit privat t’i zgjidhë.
Momentalisht për të punuar në baret dhe restorantet e bregdetit, ku fluksi është më i lartë se në Tiranë bizneset kanë punësuar punonjës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Parashikohet që kjo do të jetë zgjidhja e vetme për të funksionuar tregu i punës, derisa edhe shqiptarët ta kuptojnë se si të punosh në Gjermani apo në Shqipëri në fund të muajit pa të ardhura do mbeten. Është vetëm çështje standardesh dhe vlerash”.