Zemra duket se është organi më i dobët në trupin e shqiptarëve. Referuar të dhënave të INSTAT, sëmundjet kardiovaskulare kryesojnë listën e sëmundshmërisë në vend.

Çdo vit regjistrohen rreth 2700 raste të reja me sëmundjet e zemrës. Në kuadër të 29 shtatorit ditës botërore të zemrës, në parkun Rinia u ofruan matje e tensionit dhe e glicemisë falas për qytetarët.

Janë rreth 2000 pacientë në vit që paraqiten si raste urgjente pranë QSUT-së ndërkohë që në total trajtohen rreth 8000 pacientë.

Trajtimi i këtyre pacientëve me medikamente të rimbursuara kap rreth 20% të vlerës totale të rimbursimeve. Pra rreth 18 milionë euro shkojnë për rimbursimin e sëmundjeve kardiovaskulare me rreth 330 lloje barnash.

“Rreth 18 milionë euro në vit, pra sëmundjet kardiovaskulare, në të gjithë gamën e të gjithë barnave të rimbursueshme zënë 20% të buxhetit të rimbursimit”, u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë që mjekët ju bëjnë apel qytetarëve që të ushqehen shëndetshëm , të jenë aktivë, t’i thonë jo duhanit.

“Me strategjinë e sëmundjeve kronike, me masat të kombinuara nëpërmjet faktorëve të riskut, si kontrolli i duhanit, kontrolli i ushqyerjes, apo kapje të hershme dhe trajtimi i përshtatshëm i faktorëve metabolikë si tensioni dhe diabeti, ne do t’i vendosim nën kontroll këto sëmundje.

Duket se kjo ka filluar të vihet re. Të dhënat e INSTAT tregojnë që prej të paktën 5 vitesh vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës nuk po rritet më në Shqipëri”, tha specialisti i ISHP, Alban Ylli.

“Më vjen shumë mirë kur marr vesh se vdekshmëria nga sëmundjet kardiovaskulare nuk është rritur, megjithëse jetëgjatësia e popullatës është rritur dhe kjo për shkak të kontrollit më të mirë të faktorëve të rrezikut”, u shpreh shefi i shërbimit të kardiologjisë pranë QSUT, Artan Goda.

Ndërkohë në spitalin e Fierit do të hapet për herë të parë shërbimi i kardiologjisë invazive, i cili do të përballojë urgjencat kardiake me metodat e avancuara. Vlera e këtij financimi është 500 mijë euro.

Artikulli paraprakJANAR-GUSHT, TË ARDHURAT BUXHETORE 9 MLD LEKË MË SHUMË SE NË 2017-ËN
Artikulli tjetërSONTE LUHET DERBI REAL MADRID- ATLETICO, SUPER NDESHJE NË PREMIER LEAGUE, CHELSEA PRET LIVERPOOL