Nikë Gjeloshaj u rikonfirmua si kryetar i Komunës shqiptare të Tuzit në Malin e Zi. Forumi Shqiptar në Tuz i kryesuar nga Gjeloshaj fitoi 18 mandate duke arritur që të jenë shumicë dhe të fitojnë zgjedhjet edhe pas katër viteve. Kjo fitore bëri që shqiptarët e Tuzit të shpërthejnë në festë.
Kryekomunari i Tuzit pas kësaj fitoreje të dytë u shpreh se do vijojë që ta zhvillojë malësinë e Tuzit në katër vitet e ardhshme ndërsa falenderoi të gjithë ata që e mbështetën.
Gjeloshaj një mirënjohje ka për gjithë emigrantët që erdhën nga diaspora për të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe për të dhënë mbështetjen e tyre për Forumin Shqiptar.
Në këto zgjedhje në Tuz Nikë Gjeloshaj kandidoi përballë Anton Nikaj të koalicionit shqiptar dhe Elez Nikoviq, partia social demokrate e Milo Gjukanoviq duke arritur një fitore bindëse me 18 mandate për Forumin Shqiptar. Gjeloshaj për herë të parë u shpall kryetar komune para katër vitesh, një fitore historike për shqiptarët e Tuzit duke u rikonfirmuar sërish tashmë me këtë mandat katër vjeçar.