Për më shumë se katër orë, një shtetas gjerman ka qëndruar i zhdukur në Brezovicë.
Bëhet fjalë për një gjerman të quajtur Patrik, i cili ka ardhur i vetëm në Kosovë dhe ka shpëtuar i gjallë vetëm falë mobilizimit dhe pajisjeve adekuate që kishte me vete.
Dje rreth orës 17:00 u dha lajmi se shtetasi gjerman që po qëndron për pushime në Brezovicë, kishte humbur. Atë kohë pati një mobilizim të Klubit Alpin “Dardania” e Klubit Alpin “Prishtina” që nën menaxhimin e shoqatës “Skijimi” kërkuan për disa orë për personin e humbur.
Sipas informacioneve që ka siguruar Express, personi ka humbur shkaku i mjegullës.
“Pasi e ka zënë mjegulla ka mbetur aty në ftoftë dhe aty nuk ka mundur të lëvizë. Ka qenë i pajisur me pajisje adekuate përndryshe nuk do të mund t’i mbijetonte të ftohtit deri në mëngjes”, thanë nga Klubi Alpin “Dardania” për Express.
Patriku është gjetur mbrëmë rreth orës 21:00.
Momentalisht mësohet se ai është mirë me shëndet vetëm pak i tronditur nga rasti dhe po vazhdon të qëndrojë në Brezovicë.
Lajmi për humbjen e tij u bë nga Klubi Albin ‘Dardania’ të cilët përmes disa imazheve kanë bërë të ditur se ekipi i tyre është duke marrë pjesë në aksionin për gjetjen e shtetasit gjerman.
“Ekipi i kërkim shpetimit te Klubit Alpin Dardania merr pjese ne aksionin per gjetjen e shtetasit Gjerman i cili u humb ne Malet e Sharrit ne diten e sotme.Urojme qe raste te tilla te kete sa me pak!”, shkruhet në njoftimin e tyre.