Një shtetas nga Kosova ka humbur jetën gjatë punës në një fabrikë për prodhimin e mobilieve në Treviso të Italisë. Viktima është identifikuar si shtetasi nga Sh.Gashi 44-vjeç.
Pavarësisht se i është dhënë ndihma e parë, mjekët e kanë pasur të pamundur ta kthejnë në jetë.
Sipas mediave italiane, ai jetonte prej kohësh me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët në Ponte di Piave të Trevisos.
Kompania ka ndalur punën ditën e vdekjes së tij dhe ka shpërndarë një ngushëllim publik për punëtorin.
Sindikata thotë se Gashi ishte një punëtor i kualifikuar me një përvojë 20 vjeçare. Sipas njoftimit të sindikatës, thuhet se nga një hetim fillestar dyshohet se punëtori kosovar, në momentin e tragjedisë ishte në një zonë të ndaluar.
Njoftimi i kompanisë 3B
“Me trishtim të thellë njoftojmë se pas një aksidenti ka ndërruar jetë punëtori ynë Sh. Gashi.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga autoritetet kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe rindërtimin e ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
“3B (kompania në fjalë), është e angazhuar për të siguruar punë të sigurt në përputhje me ligjet ekzistuese”, thuhet më tej në njoftimin e kompanisë ku punonte shqiptari nga Kosova.