Shqiptari grabit makinën e këngëtarit të njohur grek
Mediat greke kanë publikuar fotografi të kamerave të sigurisë se si banda e shqiptarë në Athinë krynte grabitje të shtëpive. Në fotot e publikuara tregohet njëra nga grabitjet e armatosura në banesën e këngëtarit të njohur grek Nikos Vertis. Personi që shikoni në foto është njëri prej shqiptarëve të bandës së përbërë nga 4 persona. Autori ka hyrë në garazhin e shtëpisë së këngëtarit Vertis dhe po mundohet të hapë me forcë makinën luksoze. Kjo ngjarje ka ndodhur në nëntor 2016. Policia thotë se në banesën e këngëtarit, shqiptarët grabitën 30 mijë Euro. Anëtarët e bandës janë identifikuar nga autoritetet greke. Ata janë të gjithë shqiptarë, ndërkohë që dje u arrestua njëri prej tyre, një 22-vjeçar. Policia e vendit fqinj thotë se anëtarët e tjerë janë shpallur në kërkim dhe ka dyshime të arsyeshme se ndodhen në Shqipëri. Mediat njoftojnë se pritet që ndaj tyre të nxirret urdhër arresti ndërkombëtar, shkruan Syri.net. Identiteti i shqiptarit të arrestuar dje në Athinë dhe bashkëpunëtorëve të tij që janë shpallur në kërkim, nuk bëhet i ditur. Nuk ka informacion nëse policia greke u ka dërguar letër porosi autoriteteve tona për shqiptarët e konsideruar tepër të rrezikshëm. Banda e tyre akuzohet edhe për sulm me armë ndaj policisë. Në disa raste, ata kanë qëlluar me kallashnikov ndaj punonjësve të policisë kur janë zbuluar gjatë grabitjeve. Gjithashtu, grabitësit shqiptarë torturonin edhe familjarët gjatë bastisjes së banesave. Ata ushtronin dhunë ndaj tyre dhe i detyronin që t’u tregonin ku i kishin fshehur paratë, bizhuteritë dhe sendet e tjera me vlerë. Nga përllogatitjet e deritanishme, rezulton se organizata e shqiptarëve ka kryer grabitje me vlerë rreth 1 milionë Euro. Pre e grabitjes së bandës së shqiptarëve kanë rënë edhe shumë VIP-a të tjerë grekë, këngëtarë, biznesmenë e personazhe të njohur, mes tyre edhe ish-bashkëshorti i këngëtares Elena Paparizou.