Itali, shqiptarja e arrestuar ndërmjetëse me trafikantët italianë të drogës

Policia italiane e qytetit të Breshias ka ekzekutuar gjatë orëve të fundit operacionin “Last Traffic”, i cili ka çuar në arrestimin e një shtetase shqiptare 36 vjeçare, e cila konsiderohej si ndërmjetëse e trafikantëve shqiptarë të drogës me trafikantët italianë që zotëronin tregjet ilegale të shitjes së lëndës narkotike në qytetet e Milanos, Bergamos e Breshias. Dyshimet e investiguesve italianë janë se droga trafikohet nga Shqipëria në Itali me anë të anijeve që mbërrijnë në portet italiane nga Adriatiku. Operacioni “Las traffic” u ekzekutua në komunën Montichiari në provincën e Breshës pas disa javësh hetime me anë të përgjimeve telefonike e ambientale të cilat kishin si qëllim arrestimin e të fejuarit të 36 vjeçares së arrestuar shqiptare. Ai konsiderohet një nga bosët më të mëdhenj shqiptarë të trafikut të drogës i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas hetuesve italianë, ky trafikant i madh droge zotëron në Shqipëri disa lokale nate. Në momentin e arrestimit të fejuarës së tij iu sekuestruan rreth 22 kg lëndë narkotike e tipit marijuanë e hashash. 36 vjeçarja e arrestuar shqiptare ishte e pajisur me kartë identiteti false. Së bashku me të u arrestua dhe një korrier shqiptar droge 40 vjeç, në banesën e të cilit bëhej dorëzimi i pakove me drogë. Hetimet e policisë italiane vazhdojnë.

Artikulli paraprakNJE SHTETAS GJENDET I VDEKUR NË KANAL, DYSHOHET SE U AKSIDENTUA
Artikulli tjetërHIDHEN DY GRANATA NË OBORRIN E NJË BANESË