Shtëpia e Bardhë thotë se ndërhyrja e forcave speciale të Shteteve të Bashkuara në Jemen, në të cilën janë vrarë disa civilë dhe një ushtar amerikan, ishte “e suksesshme”.
“Mendoj se është operacion i suksesshëm nga të gjitha standardet”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer. Një ushtar amerikan është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur, në sulmin e 29 janarit, që ishte aksioni i parë ushtarak i Shteteve të Bashkuara nën presidencën e Donald Trumpit. Një zyrtar i Jemenit tha se nga sulmi janë vrarë 41 pjesëtarë të dyshuar të al-Kaidës në Gadishullin Arab, dhe po ashtu, tetë femra dhe tetë fëmijë. Ushtria amerikane po zhvillon hetime për këtë ndërhyrje, për të cilën tha se është ndërmarrë për të mbledhur informacione dhe inteligjencë, përfshirë edhe atë për operacionet potenciale të al-Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit. Ushtria amerikane tha se është e mundshme se civilët nuk janë parë nga forcat e Shteteve të Bashkuara, pasi ata ishin të përzier me militantët në kompleksin që u sulmua. Pentagoni i ka kontestuar raportet e publikuara se operacioni nuk e kishte pasur elementin e befasisë.