Një monitorim i Shërbimit Social Shtetëror ka konstatuar se në shtëpinë e fëmijës në Shkodër janë emëruar punonjës të patrajnuar në fushën e shërbimeve shoqërore apo pa kontributet e duhura si vullnetarë në ndonjë qendër sociale.

Ky raport vjen vetëm pak muaj pas akuzave nga prokuroria për disa punonjës, të akuzuar për dhunë dhe abuzim seksual me fëmijët rezidentë aty. Shërbimi Social Shtetëror pas akuzave të avokatit të popullit dhe prokurorisë se tri vajza të shtëpisë së fëmijës, të moshës 6, 8 dhe 11 vjeçe janë abuzuar seksualisht, la disa rekomandime për t’u plotësuar por sipas raportit nuk kanë arritur që të realizohen. Shërbimi Social Shtetëror gjatë kontrollit bën të ditur se vetëm 2 punonjës të rinj janë me arsimin përkatës dhe me eksperiencën e duhur. Sipas monitorimit për pjesën më të madhe të stafit nuk ka një plan të detajuar. Shërbimi social ka lënë detyrë që të hartohen programe dhe plane trajnimi për punonjësit që janë rilidhur me vendin e punës, plane dhe programe këto që duhet të zbatohen jo më shumë se brenda tre muajve pas emërimit. Shërbimi Social Shtetëror pretendon edhe për disa shkelje që janë konstatuar në shtëpinë e fëmijës 6-18 vjeç në Shkodër. Është konstatuar, se në institucion nuk ka ardhur raporti gradual i studiuar nga psikologët dhe ekspertiza mediko-ligjore për fëmijët që mendohen të dhunuar, në mënyrë që këta fëmijë të trajtohen me terapi të veçanta. Një tjetër problem i pazgjidhur është modeli i vjetër i shërbimit ndërsa institucioni nuk funksionon si shtëpi-familje. Të vetmet ndryshime janë rikthimi i fëmijëve në familjet biologjike teksa në 2016-ën 6 fëmijë kanë shkuar në gjirin familjar dhe 5 të tjerë janë në proces.

Artikulli paraprakGJYQI, ENDE PEZULL ÇËSHTJA E ISH-DREJTORES LLAZANI
Artikulli tjetërSHTËPIA E FËMIJËS: PUNONJËSIT TË TRAJNUAR