Shtëpia e Fëmijës 6-18 vjeç në Shkodër është njohur me rekomandimet e lëna nga shërbimi social shtetëror që në tetor të këtij viti.

Pas rekomandimeve të lëna nga sa bëhet e ditur shtëpia e fëmijës ka kthyer përgjigje përmes një shkrese zyrtare në 12 dhjetor të këtij viti, pra afro 2 muaj pas detyrave të lëna për t’u plotësuar. Në përgjigjen e kthyer zyrtarisht shtëpia e fëmijës 6-18 vjeç hedh poshtë të gjitha pretendimet duke nisur që nga pjesa e punonjësve ku sipas raportit pretendohet se janë të patrajnuar në fushën e shërbimeve shoqërore apo pa kontributet e duhura si vullnetarë në ndonjë qendër sociale. Ky pretendim është hedhur poshtë nga shtëpia e fëmijës duke thënë se të gjithë punonjësit janë trajnuar më përpara por edhe gjatë kësaj kohe qoftë nga bashkia Shkodër por edhe nga ekspertë dhe profesionistë të fushës në trajnime të ndryshme që janë bërë në Shkodër. Po ashtu institucioni për të cilin bën fjalë raporti në kthim të përgjigjes bën me dije se nuk është e vërtetë se nuk ka një plan të detajuar siç pretendon shërbimi social shtetëror. Shkresa e përgjigjes vijon më tej se janë hartuar edhe programet dhe planet e trajnimit me punonjësit që janë rilidhur me vendin e punës brenda afatit që përcakton ligji, 3 muaj pas emërimit. Sa i përket ekspertizës mjeko-ligjore sipas burimeve pranë shtëpisë së fëmijës thuhet se ky raport nuk ka qenë në dorën e institucionit për të ardhur në kohë dhe se është vonuar nga institucione të tjera përkatëse në Tiranë duke e mbajtur peng për një kohë të gjatë me mosfirmosjen e ekspertizës edhe pse kjo ekspertizë mjeko-ligjore ishte bërë prej kohësh tek të tri vajzat e pretenduara se janë abuzuar seksualisht. Edhe sa i përket modelit të vjetër që është në rekomandimet e shërbimit social shtetëror, shtëpia e fëmijës përmes shkresës i ka bërë të ditur se nuk ka një model të vjetër por është në zbatim të ligjeve në fuqi. Në këtë mënyrë të gjitha pretendimet janë hedhur poshtë nga shtëpia e fëmijës në përgjigjen dërguar shërbimit social shtetëror.

Artikulli paraprak“SHTËPIA E FËMIJËS ME PUNONJËS TË PATRAJNUAR”
Artikulli tjetërSHKOLLA BAJZËS, “NË JANAR PËRFUNDOJNË PUNIMET”