Prej kohësh në Shqipëri diskutohet çështja e hotelerive në raport apo përballë shtëpive me qira të cilat lëshohen në platformën AIR BNB. Në disa shtete të ndryshme të Europës mes të cilave Spanja dhe Italia, kanë nisur hapa konkret të cilët do të zbatohen në një kohë të shpejtë duke vendosur masa të ndryshme ligjore për banesat që jepen në AIR BNB për turistët pasi janë kthyer në një rrezik serioz qoftë për banorët e rinj vendas por edhe strukturat serioze hoteliere. Ndërkohë në Shkodër si një prej qyteteve me numrin më të lartë të turistëve por edhe në qytete të tjera turistike të vendit vijon që të ketë një konkurencë të pandershme nga shtëpitë që lëshohen me qira përmes AIR BNB. Kjo pasi këto banesa dhe pronarët e tyre deri më tani nuk paguajnë asnjë lloj takse pasi arrijnë që t’i shmangen atyre pak detyrimeve financiare që mund të jenë.

Po ashtu mungojnë kontrollet nga institucionet përgjegjëse për këto banesa të cilat po kthehen në një kërcënim serioz përmes konkurencës së pandershme. Strukturat serioze hoteliere në Shkodër dhe mbarë vendin në një të ardhme jo të largët mund të jenë totalisht të pasigurtë në rast se institucionet dhe vetë qeveria shqiptare nuk marrin masat e duhura përmes përforcimit të ligjit në mënyrë që të ketë një konkurencë të ndershme dhe pronarët e banesave në AIR BNB të paguajnë detyrimet ligjore. Aktualisht i gjithë fitimi shkon i pastër në xhepat e tyre, gjë e cila në biznes është e padrejtë, kjo për shkak të mungesës së një ligji të qartë për këto shtëpi që lëshohen me qira ditore për turistët. Një vit më parë u diskutua për një ligj të ri që do taksonte këto familje që lëshojnë banesat me qira në AIR BNB apo platforma të tjera të ngjashme por më pas qeveria u tërhoq nga ky vendim duke i lënë ende të lira nga taksimi këto subjekte.

Artikulli paraprakBLERTA DRAGUSHA ZV/ REKTORE E UNIVERSITETIT TË SHKODRËS
Artikulli tjetërTRE FITORE PËR AKADEMINË VLLAZNIA