Zëvendësimi i deputetëve të opozitës po arrin në pikën më kulminante ku vendimmarrja politike e kryeministrit Rama do të jetë interesante por edhe me rëndësi të madhe për gjithë vijimin e debatit politik në vend.
Teksa duket sikur ingranazhet po punojnë mirë dhe gjithçka po shkon në vendin e vetë, duke i thirrur rast pas rasti me disa raunde kandidatët e listave shumëemërore, një situatë e re paraqitet në qarkun e Kukesit.
Në këtë qark, PD ka pasur dy deputetë: Flamur Nokën dhe Isuf Celajn.
Flamur Noka u zëvendësua nga kandidati i tretë në listën e PD-së, Alban Zeneli i cili dje bëri betimin.
Për zëvendësimin e ish-deputetit të tjetër Isuf Celajt është në dispozicion vetëm një kandidat: i fundit në listën e PD-së: Miftar Dauti.
Ai është njoftuar nga KQZ, por kur kanë kaluar 9 ditë, ai ende nuk ka paraqitur formularin e dekriminalizimit, por vetëm dorëheqjen nga mandati.
Nesër është dita e fundit kur z. Dauti mund të ndërrojë mendje, por burimet nga PD thonë se ai nuk do ta pranojë mandatin.
Nëse deri nesër kandidati i fundit i PD-së nuk sjell formularin e dekriminalizimit, ai humbet mandatin dhe në Kukës ngel një mandat i pa plotësuar nga PD.
Këtu hyn në lojë vendimmarrja politike e PS_së dhe Edi Ramës.
Kodi Zgjedhor nuk ka një parashikim të qartë se kujt i kalon mandati kur shterohet lista e një partie.
Nëse do të përdoret një kleçkë ligjore për krahasim me çfarë ndodh me kandidatët e pavarur, atëherë mandati mund t’i kalojë Partisë Socialiste.
Por a do të pranojë Rama të acarojë më tej klimën politike në vend, duke marrë nën logon e PS-së një mandat të PD-së?
Ekspertët zgjedhorë në PS dhe KQZ janë më afër mendimin se lista nuk spostohet dhe mandati nuk mund të kalojë nga PD në PS, pasi do të deformonte vullnetin e zgjedhësve, dhe në këto kushte kjo vakancë do të ngelë bosh.
Por, ekziston dhe një mendim tjetër në PS dhe KQZ që thonë se vendi i një anëtari parlamenti nuk mund të lihet kurrsesi bosh.
Vendimmarrja për Kukësin, do të jetë përcaktuese për të gjithë atë që mund të ndodhë më pas në të gjithë qarqet e vendit.
Burime me aftësi vendimmarrëse ne PS thonë se kjo parti nuk do të pranojë të marrë deputetë në formë të tillë ekstraligjore dhe Isuf Çelaj do të ngelë pa zëvendësues në Kuvend.