Ka shumë shtete që e mirëpresin Donald Trump-in si President të 45-të të SHBA-ve.

Rusia po shijon skepticizmin e tij mbi vlerat e NATO-s, ndërsa shtete të tjera si Filipinet apo Turqia duartrokasin idenë e presidentin për të vënë theksin tek interesat e përbashkëta, më shumë sesa të vlerat Perëndimore. Por ka edhe disa shtete që nuk do ta donin atë në krye të SHBA-ve.

Më poshtë janë 7 shtetet që i druhen më shumë presidencës së Trump

Meksika – Trump ka paralajmëruar disa herë ndërtimin e një muri me Meksikën, e nëse kjo ndodh vendi do përballet me miliona deportime dhe me një presion intensiv në tregtinë mes dy vendeve. Dihet tashmë se Meksika dërgon 80% të eksporteve në SHBA dhe merr 60% të importeve nga amerikanët.

Japonia- Është e vërtetë se Kryeministri japonez dhe Trump kanë interesa të përbashkëta, por Japonia i druhet marrëdhënieve që SHBA-të do të ndërtojnë me Kinën. Nëse Trump vendos të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme marrëdhëniet e tij me Kinën, japonezët do të ndodheshin të izoluar midis dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtare. Shto këtu edhe marrëdhëniet e vështira të Japonisë me Korenë e Jugut dhe vendi mund të bjerë në një izolim të ashpër.

Letoni, Estoni, Lituani – Vendet Baltike janë ato që e presin më me ankth Presidentin e ri të SHBA-ve. Ato nuk e shikojnë me sy të mirë marrëdhënien e mirë të Trump me Putin sepse i druhen ndërhyrjes së Rusisë për të zhvendosur kufijtë më të njëjtin arsyetim si në rastin e Ukrainës. Nëse deri tani këto vende janë ndjerë të mbrojtura duke qenë pjesë e NATO-s, deklaratat e Trump-it për zhvlerësimin e Organizatës kanë shtuar dozën e frikës.

Gjermania – Angela Merkel ia ka bërë një ofertë bashkëpunimi Trump-it bazuar në vlerat e përbashkëta të “demokracisë, lirisë, respektimit të ligjit dhe ruajtjes së dinjitetit të çdo njeriu, pa dallime origjine, ngjyre, feje, orientimi seksual apo prirjeje politike”. Thënë ndryshe, ne marrim përsipër të bashkëpunojmë më ju nëse ju nuk do i trajtoni meksikanët dhe myslimanët ashtu siç keni premtuar në fushatë. Merkel gjithashtu ka drejtuar dënimin e Europës ndaj Rusisë me sanksione për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë dhe premtimi për marrëdhënie të mira midis Trump e Putin do të minonte pushtetin dhe fuqinë e saj në Europë.

Franca – Shqetësimi i Francës është më tepër i brendshëm. Ata druhen se fitorja e Trump-it do të nxitë fitoren e Frontit Kombëtar të Marine Le Pen, e cila nëse vjen në kryë të shtetit do ta orientojë Francën drejt daljes nga BE-ja dhe përqendrimit te forcimi i kufijve dhe zhvillimi i brendshëm. Kundërshtarët e Le Pen druhen se Trump do të mbështesë publikisht kandidaturën e saj, çka do të ishte një moment kyç për fatin e zgjedhjeve. Prej shumë vitesh nuk ndodhte që ardhja e një Presidenti amerikan të shkaktonte kaq shumë ndjesi, pozitive apo negative, brenda e jashtë vendit. Por a do të arrijë Trump të mbajë premtimet me të cilat ka ngjallur panik në shumë liderë e vende të botës?!

Artikulli paraprakKATËR KATEGORITË E POLICISË QË PËRFITOJNË SIGURIM TË VEÇANTË SHËNDETËSOR
Artikulli tjetërREGRES NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT