Shteti i Kuvajtit iu bashkua vendeve të tjera që janë solidarizuar duke dërguar ndihma për të përballuar situatën e krijuar pas lëkundjeve të tërmetit të datës 21 shtator që shkaktuan dëme të konsiderueshme në Tiranë dhe Durrës.
Ambasada e Kuvajtit nëpërmjet fondacioneve bamirëse kuvajtiane në vendin tonë, dorëzoi 2000 pako me nga 25 kg ushqime bazë pranë magazinave të Rezervave Materiale të Shtetit.
Në dorëzimin e këtyre pakove ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, ambasadori i Kuvajtit në Shqipëri Fayez Mishari Al Jassim, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako dhe drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale të Shtetit Paulin Luli.
Zëvendësministri Koçi falënderoi në emër të qeverisë shqiptare Shtetin e Kuvajtit duke vlerësuar rolin e ambasadorit Al Jassim për angazhimin e tij personal pas lëkundjeve të 21 shtatorit.
“Dua që të shpreh mirënjohjen e përzemërt në emër të qeverisë, natyrisht të Ministrisë Mbrojtjes për Kuvajtin i cili nuk është hera e parë që asiston në rastet e fatkeqësisë natyrore. Një pjesë e këtyre ndihmave ka shkuar drejt për drejt për bashkitë përkatëse Tiranë dhe Durrës. Ndërsa sot kemi një ndihmë tjetër e cila i dorëzohet rezervave të shtetit dhe më pas do të menaxhohet nga Emergjenca jonë civile që do ti shpërndahet njerëzve në nevoje.”
Nga ana e tij ambasadori i Kuvajtit Fayez Mishari Al Jassim foli për përmbajtjen e pakove dhe i cilësoi këto si ndihma paraprake për banorët e prekur.Më herët, Ambasada e Kuvajtit ka kontribuar me ndihma edhe pranë bashkive Tiranë, Durrës dhe Elbasan, të cilat u prekën nga tërmeti i 21 shtatorit.