Fëmija 1 vjeç i infektuar me HIV, dyshimet për të cilat, prindërit i hedhin në sistemin shëndetësor shqiptar, ka marrë të drejtën e qëndrimit në Itali. Vendimi është marrë nga Gjykata e Minorenëve të Romës, e cila argumenton në shkresën e saj, se duke marrë parasysh shtrimet e njëpasnjëshme dhe nevojën e kujdesit më të specializuar, autorizohet qëndrimin e foshnjës në Itali. Autoritetet italiane thonë, se kujdesin e munguar në Shqipëri, foshnja do të ketë mundësinë të ndiqet nga specialistët e fushës, në një nga spitalet më të mira pediatrike në botë, e quajtur “Bambino Gesù”.
Kujtojmë se pak javë më parë, prindërit fituan betejën ligjore në Gjykatën e Apelit ndaj prokurorit Saimir Hysi. Ky i fundit, kishte vendosur mosfillimin e hetimit për rastin, me argumentimin se nuk ka pasur neglizhencë mjekësore nga ana e mjekëve, por tjetër gjë pretendojnë prindërit. Të kontaktuar nga “News 24”, ata pretendojnë se i vogli i tyre është infektuar në sistemin shëndetësor shqiptar, gjatë qëndrimit në pediatrinë e QSUT, duke mos e ditur ende ekzaktësisht se çka ndodhur me të voglin.
Ata kanë kërkuar informacion nga autoritetet shëndetësore, me shkresa dërguar ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu dhe kryeministrit Edi Rama, po ende pa përgjigje. Kërkesën e prindërve për gjurmim e fëmijëve që ndodheshin në të njëjtin repart me birin e tyre, ISHP e refuzoi, me arsyetimin se nuk janë të skeduar me HIV. Prindërit ngrenë dyshime se nëse gjurmimi do të bëhej, ndoshta rastet e personave të infektuar do të ishin më të shumtë.