Ditët e fundit në Shkodër dhjetra qen endacak janë shtuar në masë thuajse kudo në rrugët e qytetit. Dyshimet më të mëdha janë se persona të papërgjegjshëm i sjellin qentë nga qytetet e tjera drejt Shkodrës duke i hedhur në mes të rrugës. Këto pamje janë në hyrje të pedonales “Kolë Idromeno” në një orar kur fluksi i turistëve të huaj, emigrantëve dhe vizitorëve vendas është shumë i lartë. Një qytetar, kalimtar i rastit ka denoncuar në redaksinë e Star Plus këtë rast që përsëitet çdo natë me qentë që qëndrojnë në pedonale. Nga ana tjetër gjatë ditës është vënë re një prani tejet e shtuar e qenve në pedonalen tjetër por edhe në pjesë të tjera në rrugët e qytetit të Shkodrës.

Bashkia Shkodër por edhe organizatat e shoqërisë civile që merren me mbrojtjen e kafshëve disa herë kanë bërë thirrje policisë vendore të Shkodrës por edhe çdo institucioni tjetër përgjegjës që të gjejnë një zgjidhje për të gjetur ata persona të papërgjegjshëm të cilët sjellin qentë në qytetin e Shkodrës me automjete të ndryshme duke i zbarkuar kryesisht në orët e natës. Pavarësisht kësaj problematike që përsëritet herë pas here ende nuk ka asnjë rast për të parandaluar sjelljen e qenve endacak në Shkodër nga qytetet e tjera si dhe asnjë procedim të personave përgjegjës.

Shpesh herë qentë janë agresiv sidomos në rastet kur nuk kanë kontrollet përkatëse të veterinerit duke u kthyer në një rrezikshmëri për kalimtarët. Për Shkodrën është emergjente gjetja e një zgjidhjeje për të mos lejuar zbarkimin e qenve në këtë qytet i cili u bë i pari në Shqipëri që ndërtoi një strehëz për kafshët por sërish është e pamjaftueshme duke parë këtë shtim të herë pas hershëm të qenve në mënyrë abuzive.

Artikulli paraprakPUNIMET, TRAFIK NË HYRJE TË SHKODRËS
Artikulli tjetërPRONËSIA, BANORËT E ISH REZERVAVE PROTESTË