Shtrenjtimi deri 4-fish i tarifave të transportit të mallrave që nisi pas pandemisë nuk ndikoi të rënia e volumit tregtar, në nivelet e larta që po ndikon shtrenjtimi i çmimeve. Operatorë të transportit të mallrave pohojnë se pas muajit gusht volumi i transportit të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore vazhdon të zgjasë.

Prej prillit të vitit të kaluar transporti me kamion i mallrave dhe me anije gjendet në një realitet të ri për çmimet e larta të tarifave të transportit. Para periudhës së krizës, tarifa për importin e një kontejneri me mallra nga Kina ishte 2,000 deri 3,000 dollarë. Tarifa e transportit në 2021 arriti në 12,000-17,000 dollarë. Ndërsa tarifat e transportit me kamion për vendet fqinje si Italia nga 900 deri 1,000 euro variojnë deri në 2,000.

Por shtrenjtimi i tarifave të transportit nuk ndikoi te tkurrja e kërkesës për mallra. Në këtë periudhë operatorët e transportit nënvizonin se kërkesa për transport e mallrave është shumë e lartë dhe e papërballueshme me flotën e mjeteve dhe drejtuesit e kamionëve që disponojnë.

Ndërsa në këtë periudhë operatorët ngrenë shqetësimin se kërkesat për transport janë shumë të ulëta, edhe pse ndodhemi në vigjilje të festave të fundvitit, që gjithmonë ka përkuar me fluks të lartë të kërkesave dhe rezervime që nisnin prej muajit nëntor.

Andi Shijaku drejtor për transportin e mallrave në një kompani pohon se arsyeja e rënies së volumit të transportit të mallrave me kamion është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve.

“Pas muajit gusht ka filluar rënia e volumit tregtar në transportin e mallrave ushqimore, por edhe produkteve të tjera industriale në rrugë tokësore me kamion. Rënia e kërkesës për transportin e mallrave ka vijuar edhe për muajt tetor dhe nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.

Edhe muaji dhjetor rezulton të jetë një periudhë e vakët, në raport me vjet dhe vitet e tjera. Shkak i rënies së volumit janë çmimet e larta të mallrave të ndikuara nga kriza botërore. Rritja e çmimeve ka ndikuar te ulja e konsumit. Për këtë arsye kompanitë kanë ulur furnizimet, pasi rrezikojnë të krijojnë stok në magazina”.

Për sa i përket tarifave të transportit Shijaku thotë se për transportin e mallrave me kamion tarifa vijojnë të jenë të stabilizuara, në nivelet pas pandemisë, ndërsa për transportin e mallrave me kontenier nga Kina tarifat janë ulur. Sakaq sipas të dhënave të INSTAT transporti i mallrave në muajin tetor 2022 shënoi rënie në porte, ndërsa u rrit në hekurudhë dhe me ajër.

Volumi i mallrave të transportuar me ajër ishte 204,2 ton, duke u rritur me 14,4 %, në krahasim me Tetor 2021. Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, është 284,5 mijë ton, duke u ulur me 31,2 %, krahasuar me tetor 2021. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.478 mijë ton-kilometër, duke u rritur me 0,3 %, krahasuar me tetor 2021./Monitor

Artikulli paraprakSITUATA NGA MOTI I KEQ NË VEND, 410 HA TOKË E PËRMBYTUR NË LEZHË DHE 300 NË SHKODËR
Artikulli tjetërBORA, AKULLI DHE MJEGULLA E FTOHTË MBËRTHEJNË BRITANINË, ANULOHEN FLUTURIMET NGA TRE AEROPORTE