“Fitorja e Vllaznisë me Tiranën sjell një qetësi të momentit por asgjë s’ka përfunduar për mbijetesën”.
Kështu shprehet futbollisti i Vllaznisë Ndriçim Shtubina i cili ishte autor i golit të dytë në përballjen ndaj bardhebluve. Kapiteni Shtubina sqaron se Vllaznia pati një luhatje në pjesën e dytë ndaj Tiranës sepse sipas tij futbollistët kuqeblu shpenzojnë shumë energji që në minutën e parë. Golin e shënuar këtë radhë e mban për vete ndërsa atë të radhës do ia dedikojë djalit të tij. Ndeshjen e radhës në Ballsh ndaj Bylisit Shtubina nuk e quan më të vështirë se përballja që patën me Tiranën. Në transfertën ndaj Bylisit Vllaznia shkon me 5 pikë avantazh dhe aktualisht është ngjitur në vendin e 7-të me 26 pikë duke qenë më pak e rrezikuar dhe duke lënë vendet e fundit të renditjes. Gjithsesi ende asgjë nuk ka përfunduar sepse janë edhe 10 javë për t’u luajtur ku Vllaznisë i duhet të luftojë deri në fund për të siguruar mbijetesën.