Që nga momenti i arrestimit gjendja shëndetësore e Ardian Locit, shoferit të FNSH i akuzuar për “shpërdorim detyre” është përkeqësuar.
Loci i akuzuar se ka dekonspiruar aksionet e policisë për asgjesimin e bimëve narkotike cannabis sattiva në Dukagjin gjatë 2016-ës doli sërish përpara gjykatës së shkallës së parë duke kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Kjo seancë gjyqësore u shty pas kërkesës së prokurorit të çështjes Albert Muça për t’u njohur me disa prova të reja shkresore. Këto prova përpara gjyqtarit Tonin Sterkaj u paraqitën nga avokati mbrojtës Ilir Golemi. Provat e palës mbrojtëse kanë të bëjnë me karakterin, personalitetin dhe gjendjen e vështirë ekonomike e familjare të Ardian Locit. Ndër të tjera avokati shtoi se në harkun kohor të një muaji klienti i tij ka bërë vizita në paraburgim për shkak të rritjes së depresionit. Edhe vetë i akuzuari për “shpërdorim detyre” tregoi se si gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar ndërsa merakun më të madh që e shqetëson ka vajzën e tij 15-vjeçare të sëmurë me migrenë.
Gjatë seancës avokati mbrojtës në provat shkresore paraqiti vizitat e vajzës të sëmurë të Ardian Locit, një kredi në një bankë të nivelit të dytë, një akt-marrëveshje me OSHEE për të shlyer me këste debinë e energjisë elektrike, 19 vitet si punonjës i FNSH, faktin se bashkë me familjen jetojnë tek shtëpia e babait të bashkëshortes si dhe një pagesë që vetë shteti ka bërë për vajzën e sëmurë për të ndihmuar fëmijët e policëve që kanë probleme me shëndetin. Mbrojtja deklaroi se zëvendësimi i masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” nuk paraqet asnjë rrezik. Në fund organi i akuzës kërkoi disa ditë kohë për të shqyrtuar provat shkresore dhe nëse plotësohen kushtet që për Ardian Locin të zëvendësohet masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Bashkë me të janë arrestuar edhe 17 persona të tjerë të akuzuar për kultivim të cannabis dhe 10 prej tyre janë në “arrest me burg” ndërsa pjesa tjetër “arrest shtëpie”.