Afati për kryerjen e kolaudimit të automjeteve, Kontrollit Teknik, do të shtyhet për tre muaj nga periudha që ishte i parashikuar. Akti Normativ është firmosur nga Kryeministri Rama dhe ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku. Me këtë Akt Normativ çdo certifikatë aktuale fiton edhe 3 muaj vlefshmëri, pra tërë ata që do kishin afate të ribënin kolaudimin kanë këtë shtesë afati.
Shtyrja e afatit me 3 muaj është për të gjithë ata që kanë një certifikatë kolaudimi të bërë në vitin 2020, në çdo kohë të vitit, pra të tëra mjetet që kanë bërë kolaudimin fitojnë këtë shtesë vlefshmërie, si një lehtësim në vijim për radhët që mund të krijoheshin. Burimet bëjnë me dije se ky vendim është marrë për dy arsye: Për t’u kthyer përdoruesve të mjeteve këtë kohë meqenëse gjatë 2020-ës pati bllokime qarkullimi dhe e dyta i jepet kohë shërbimit të ri të kolaudimit të përgatitet për rifillimin, duke i dhënë kohë edhe daljes së ndryshimeve në Kodin Rrugor që është miratuar si draft në Qeveri dhe pret kalimin në Parlament këto javë të janarit. Ndërkohë për ato mjete që targohen këtë vit në 2021, nga nesër tërë drejtoritë rajonale të drejtorive të transportit rrugor do të kenë udhëzimet e duhura për t’i pajisur me vërtetime që njihen edhe nga policia për ta kryer kolaudimin sapo të rihapet shërbimi.
Lajmi për këtë vendim të Qeverisë u dha së pari nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë konferencës së fundit për shtyp për vitin 2020. Ndërkohë edhe gjatë ditëve të fundit të viti që lamë pas ka patur radhë të gjata për kryerjen e kolaudimit të automjeteve jo vetëm në qytetin e Shkodrës por edhe në qytete të tjera duke bërë që shumë drejtues të mjeteve të mos arrijnë që ta marrin këtë shërbim për shkak të radhëve.
Edhe në ditët e para të janarit pritet e njëjta situatë, gjë e cila ka bërë që ministrja Balluku të marrë këtë vendim për shtyrjen e afatit. Ndërkohë tashmë do të kryhen edhe procedurat e nevojshme që shërbimi i Kontrollit Teknik të Automjeteve t’i kalojë shtetit duke ia hequr të drejtën koncensionarit pas mbarimit të kontratës.