Kryeministri Edi Rama dhe ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj  prej orës 17:00 ndodhen në një konferencë për mediat, e cila vjen pas qëndrimit të liderëve të BE, të cilët nuk arritën në një marrëveshje për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Edi Rama tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme edhe me presidentin e Francës gjatë samitit të BE-së që nuk doli dot me një vendim për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe shtoi se Emmanuel Macron kërkon reformim të brendshëm të unionit, por edhe ndryshim të vetë rregullave të procesit të integrimit në vijim.

Kreu i qeverisë tha se liderët e BE-së e thanë njëzëri se vendi ynë ka bërë progres, dhe se azilkërkuesit sipas tij, janë thjesht “bishta” siç ai i quajti.

“Janë bërë përpjekjet maksimale për të arratur të marrim atë që na takon, asgjë më shumë, atë që kemi merituar, dhe këtë tanmë e ka thënë jo vetëm me shkrim Komisioni Evropian, por e keni dëgjuar të thuhet nga një pjesë e madhe të kryeministrave të BE-së dhe nga vetë kancelarja e Gjermanisë.

Kam marrë një numër mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave në takim, kemi qenë në kontakt edhe në mbrëmje me disa prej tyre. Kam komunikuar edhe me presidentit e Francës dhe nëse duam të shikojmë të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjese të konsiderueshme të frontit që ishte për një PO të qartë.

Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për kompromis, duke i vendosur një POR, PO-së. Në takimet mes Merkelit dhe Presidentit të Francës, është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje: Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces, Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe një transformim të vetë procesit të integrimit, deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit.

Një ndërveprim me Ballkanin Perëndimor që nuk mund të zhvillohet me të njëjtën metodë të procesit të deritanishëm të zgjerimit. Liderët e BE-së, që nga Presidenti i Këshillit, i Komisionit, Komisioneri për Zgjerimin, e thanq qartë që kjo që ndodhi është mosarritje konsensusi me vendet anëtare për arsyet e tyre. Është e tëpërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta. Në këtë situatë, cilido nga vendet që janë sot në BE dhe të priste mbrëmë konsensus, nuk do kishte marrë dot.

Tema është spostuar gjetkë. Kemi marrë një refuzim për tu marrë në konsideratë për celjen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, se i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë reformat për vendin tonë”, tha Rama.

Artikulli paraprakRRITET NUMRI I EMIGRANTËVE QË KALOJNË ILEGALISHT KUFIRIN GREQI-SHQIPËRI
Artikulli tjetërDJALI SHQIPTAR PREJ 5 VITESH NË KAMPIN SIRIAN, RAMA: NUK ËSHTË ÇËSHTJE AMBASADASH