Shtyrja e kategorisë Superiore në Shqipëri me 7 shtator ka prishur jo pak planet e klubit Vllaznia.
Kuqeblutë kishin përllogaritur që me 18 korrik të udhëtonin drejt Malit të Zi për të zhvilluar fazën përgatitore. Shtyrja e kampionatit pas edhe ngjarjeve të fundit ku CAS la në fuqi vendimin e UEFA-s për të dënuar Skenderbeun me mospjesëmarrjen për një vit në kompeticionet europiane dhe zëvendësimi i korçarëve nga Partizani dhe anullimi i ndeshjes në Europa Ligë për të kuqtë ka sjellë pak kaos tek shkodranët. Kjo sepse kampionati malazez dhe serb do të nisë ndryshe nga superliga që është shtyrë dhe kështu Vllaznia e ka të vështirë të gjejë ekipe për të zhvilluar ndeshje miqësore në Malin e Zi. Në këtë mënyrë do të mendohet edhe njëherë tashmë vendi i fazës përgatitore nëse do jetë Mali i Zi apo ndonjë shtet tjetër fqinj. Ditët kalojnë dhe kuqeblutë ndodhen në një situatë disi të vështirë dhe të papritur sepse drejtuesit bashkë me stafin teknik kishin bërë planet për nisjen e sezonit të ardhshëm. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet. Gjatë së enjtes Vllaznia është lënë pushim nga stafi teknik ndërsa të premten nis përsëri stërvitja. Po ashtu mësohet se portieri kosovar Ilir Avdyli që erdhi në provë është larguar sepse nuk ka bindur stafin teknik. Tre lojtarët e tjerë që janë në provë kosovari Valdrin Rashica, portieri malazez Jasmin Agoviç dhe shkodrani Senad Lekaj vijojnë të testohen. Në ditët në vijim priten edhe të tjerë futbollistë që mund të provohen.