Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari i njohur Fatos Arapi. Prej 10 vitesh shkrimtari ishte i sëmurë dhe nuk dilte nga banesa, pasi kishte pësuar një hemorragji cerebrale.
Arapi sot do të përcillet për në banesën e fundit. Fatos Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë.
Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi.
Në vitin 2008 e fitoi ‘Kurorën e artë’ në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.
Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985;
Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime:
Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.