“Sport Klub Vllaznia” ashtu si të gjitha institucionet e tjera të varësisë në bashkinë Shkodër ka bërë gati projekt-buxhetin për vitin 2016-të.

Nga sa mësohet burime pranë klubit shumësportesh bëjnë me dije se shuma e kërkuar për këtë vit është rreth 280 milion lekë të vjetra. “Sport Klub Vllaznia” ka projektuar për 2016-ën një rritje me 50 milion lekë të vjetra për skuadrat e shumësportësishit që i ka nën administrim. Vitin e kaluar buxheti i dhënë nga bashkia për klubin shumësportesh ka qenë 230 milion lekë të vjetra dhe tashmë kërkohet një rritje. Ende nuk është vendosur nëse kjo kërkesë do të pranohet apo jo nga ana e bashkisë. Rritja me 50 milion lekë të vjetra në buxhetin e 2016-ës është kërkuar kryesisht për ekipet elitare të “Sport Klub Vllaznia”. Sipas burimeve mësohet se skuadrat të cilat do kenë një rritje nëse bashkia pranon të japë 280 milion lekë të vjetra janë basketbolli i meshkujve dhe i femrave që po arrijnë rezultate pozitive, volejbolli i meshkujve që po ashtu po rivalizon denjësisht në kampion si dhe skuadra e boksit e Vllaznisë e cila është absolute, ekip kampion me të rriturit dhe të rinjtë por edhe me rezultate të larta në arenën ndërkombëtare. Mbështetja e sporteve që arrijnë rezultate dhe dhurojnë kënaqësi për tifozët është një politikë që ndiqet këto vite të fundit dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe për 2016-ën. Natyrisht që edhe 280 milion lekë të vjetra janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesat që kanë të gjitha sportet dhe bazë kryesore e shpërndarjes do jenë rezultatet e arritura. Gjithnjë ka pakënaqësi dhe ankesa për paratë apo kushtet që kanë sporte të ndryshme por këta janë mundësitë financiare.

Artikulli paraprakKRYETARJA E BASHKISË SË SHKODRËS, INTERVISTË NË ZËRIN E AMERIKËS
Artikulli tjetërVAZHDON TRAGJEDIA E EMIGRANTËVE NË UJRAT TURKE