Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton rregullat e bashkërendimit të punës së bashkive me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrimin e trojeve të dhëna për ndërtim nga njësitë e qeverisjes vendore dhe të rregullimit të marrëdhënieve juridike të pronësisë mbi këto troje për efekt regjistrimi.
Po si do të veprohet rast pas rasti për pasuritë që janë të regjistruara dhe ato që nuk janë regjistruar?
Pasuritë e regjistruara
Kur toka është e regjistruar dhe subjekti i interesuar paraqet kërkesë për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon dokumentacionin arkivor të regjistrimit. Kur rezulton se përmbushen kushtet, heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar. Kur toka i përket ende përfituesit fillestar të saj dhe konstatohen mangësi, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës, i kërkon bashkisë të vendosë në dispozicion kopje të dokumentacionit që mungon (sipas rastit, konfirmimin për vendimmarrjen e këshillit të organit vendor, aktin e kalimit të pronësisë, konfirmimin për pagesën e çmimit të tokës apo dokumentacionin për ndërtimin).
Nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni nuk është i plotë, por ekziston të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ajo procedon, duke i kërkuar subjektit përfitues të shlyejë pjesën e mbetur të çmimit të shitjes, të përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë ose duke thirrur subjektin përfitues për lidhjen e kontratës noteriale për kalimin e pronësisë mbi tokën, nëse ajo nuk është lidhur më parë, pasi të jetë shlyer vlera e plotë e çmimit të shitjes. Çmimi i shitjes do të jetë sipas vlerës së referencës në momentin e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim.
Pasuritë e paregjistruara
Kur pasuria nuk është e regjistruar, subjekti përfitues, nëse disponon dokumentacionin e plotë mund t’i kërkojë drejtorisë vendore të ASHK-së regjistrimin e pronësisë.
Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës së bashku me dokumentacionin shoqërues, i kërkon bashkisë përkatëse konfirmimin e vërtetësisë/saktësisë së këtij dokumentacioni. Nëse bashkia nuk kthen përgjigje brenda 30 ditëve, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë. Nëse bashkia është në pamundësi për të verifikuar vërtetësinë, për shkak të mangësive në dokumentacionin e saj arkivor, merret i mirëqenë dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë.
Subjekti që nuk zotëron dokumentacionin e plotë, por që ka të paktën vendimin e këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ka të drejtë t’i paraqesë kërkesë bashkisë përkatëse për kryerjen e procedurës së kalimit të pronësisë. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur për pasurinë rezulton të ketë tituj pronësie të të tretëve të mbivendosur, apo kur ajo është e zënë me ndërtime pa leje të të tretëve.
Legalizimet
Nëse mbi pasurinë gjendet ndërtim, por për të mungon dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ose është i pamjaftueshëm për regjistrimin e tij, zbatohen procedurat e legalizimit sipas ligjit “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”. Kur dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit është i pamjaftueshëm për regjistrimin e objektit dhe në të nuk ka shtesa tej projektit apo ndryshime të funksionit të hapësirave, ndërtimi trajtohet i tëri si “objekt pa leje”.
Procedurat e legalizimit zbatohen vetëm për efekt të regjistrimit të ndërtimit dhe subjektet nuk paguajnë detyrim financiar për parcelën ndërtimore. Si titull pronësie mbi truallin njihet ai i fituar nga organet vendore, sipas parashikimeve të krerëve të tjerë të këtij vendimi.
Ndërtesat
Nëse mbi pasurinë gjendet ndërtim, por për të mungon dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ose është i pamjaftueshëm për regjistrimin e tij, zbatohen procedurat e legalizimit sipas ligjit “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Mbivendosjet, si korrigjohen gabimet në regjistrime
Në rastet kur trualli i dhënë nga organet vendore rezulton të jetë i mbivendosur me tituj të tjerë, të regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, drejtoria vendore e ASHK-së zbaton dispozitat për korrigjimin e gabimeve në regjistër ose përmirësimin e regjistrit sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, nëse janë të nevojshme. Kur mbivendosja nuk mund të zgjidhet sipas procedurave dhe dispozitave të sipërpërmendura, drejtoria vendore e ASHK-së udhëzon subjektet për zgjidhjen e çështjes në rrugë gjyqësore.
Nëse gjatë zbatimit të procedurave sipas këtij vendimi, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se në dokumentacionin e pronësisë së truallit nuk janë të identifikueshëm kufijtë e tij, i kërkon bashkisë të përcjellë planvendosjen e pasurisë, për plotësimin e dokumentacionit të regjistrimit.
Në të gjitha rastet kur pronësia mbi truallin e ndërtesës të ngritur sipas legjislacionit të kohës “Për urbanistikën”, nuk mund të regjistrohet apo të përfitohet sipas dispozitave të këtij vendimi, zbatohen dispozitat e ligjit nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”.