Vllazninë në basketboll për meshkuj trajneri i ri Vladimir Ivankoviç thotë se e gjeti si një gotë të thyer dhe në shumë pak kohë iu desh të bashkojë copat e thyera, duke nënkuptuar marrëdhëniet jo të mira mes lojtarëve. Këtë deklaratë trajneri i ri Ivankoviç e bëri në prag të ndeshjes së Balkan League Ibar-Vllaznia.
“Është një eksperiencë e bukur pas një viti e gjysëm që jetova në Islandë, këtu është një eksperiencë ndryshe që më pëlqen. Kur erdha në Shkodër skuadra nuk ishte shumë mirë moralisht dhe ishte si një gotë e thyer.
Ajo që duhej të bëja ishte bashkimi i copave të thyera në mënyrë që të dukej si një ekip dhe jo lojtarë të ekipit veçmas. Kemi udhëtuar 15 orë në Bullgari dhe më dha mundësi për të parë se çfarë mund të bëjnë dhe nuk mund të bëjnë lojtarët. E përdora këtë eksperiencë dhe do ta përdor edhe në të ardhmen. Kam aktivizuar të gjithë lojtarët dhe shumë trajnerë thonë që kjo është e pamundur por gjithë lojtarët e meritojnë të luajnë dhe unë do vazhdoj kështu sepse secili ka çfarë të japë.
Ndaj Tiranës lojtari jonë më i mirë, Perine luajti vetëm 15 minuta dhe fituam me 33 pikë. Edhe Faslija nuk kishte luajtur shumë më përpara dhe u aktivizua 15 minuta dhe në atë moment bëmë diferencën me 31 pikë. Gjëja më e rëndësishme është që këta lojtarë të fokusohen vetëm tek fusha e lojës dhe kjo bëri diferencën në ndeshjen me Tiranën”.
Sa i përket ndeshjes ndaj malazezë të Ibar, trajneri Ivankoviç thotë se Vllaznia shkon atje vetëm për të fituar ndërsa në kampionatin shqiptar sipas kroatit nuk ka skuadër që të përballojë lojën e Vllaznisë dhe objektiv ka fitimin e titullit kampion
“Unë nuk jam duke i dhënë lojtarëve shumë informacion dhe nuk jam duke i ngarkuar me informacion për kundërshtarin. Basketbollistët i kanë parë ndeshjet e kundërshtarëve në shtëpi dhe parimi im është që ta rris nivelin e lojës kokë më kokë. Ne duam që të luajmë lojën tonë dhe të fitojmë ndeshjet dhe kjo është ajo që do bëjmë ndaj Ibar në Balkan League.
Nëse luajmë ashtu si ndaj Tiranës nuk ka shumë ekipe që mund ta përballojnë lojën tonë. Sa i përket ndeshjes së kampionatit që kemi me Teutën, dua të them se ne jemi skuadra më tipike në Shqipëri dhe kemi 12 lojtarë që kontribuojnë dhe nuk ka ekip që mund të na ndalë.
Ka skuadra që mund të kenë 5-shen e parë më të mirë por asnjë skuadër nuk ka 12 lojtarë që munden të kontribuojnë, të japin maksimumin dhe që të bëjnë diferencën në lojë. Jam këtu për të fituar titullin kampion me Vllazninë”.
Lojtari i Vllaznisë Elian Memçaj që aktivizohet edhe me të rinjtë edhe me të rriturit shprehet se kërkon që të fitojë besimin e trajnerit.
Vllaznia me trajnerin e ri pas largimit të Gospodinov do të kërkojë që të përmirësojë rezultatet dhe të shkojë drejt objektivit që është fitimi i titullit kampion edhe pse rivalitetit me Teutën dhe Goga Basket është i fortë.