Pas goditjes disinflacioniste të nxitur nga COVID-19 në vitin 2020, tregjet në zhvillim tani po përballen me rritje të shpejtë të inflacionit. Inflacioni përkufizohet si norma me të cilën rritet niveli i përgjithshëm i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Krizat në ekonominë politike dhe ndryshimi i qëndrimeve shoqërore, si në ekonomitë në zhvillim, ashtu edhe në ato të përparuara, mund të ndikojnë në inflacion. Një shkallë më e lartë e paqëndrueshmërisë politike, zakonisht shoqërohet me inflacion më të lartë.
Investitorët e huaj dhe vendet në zhvillim
Politika dhe paqëndrueshmëria politike kanë ndikim të rëndësishëm në tregjet financiare. Megjithatë, thjesht gjetja e një mënyre për të zgjidhur paqëndrueshmërinë politike nuk mjafton. Paqëndrueshmëria politike ndikohet nga paqëndrueshmëria ekonomike, e cila mund të krijojë një rreth vicioz, që është pothuajse i pamundur të thyhet. Kur një kompani investon në një vend tjetër me aftësi të vlefshme teknologjike ose menaxheriale, përfitojnë aksionerët e saj dhe qytetarët e vendit pritës. Megjithatë, suksesi nuk është i garantuar, pavarësisht se sa e mirë është përshtatja midis asaj që ofrojnë kompanitë e huaja dhe asaj që kërkojnë vendet pritëse. Historikisht, investitorët e huaj janë përballur me rreziqe më të mëdha në vendet në zhvillim me sisteme politike të papjekura, ose të paqëndrueshme. Kompanitë që kryejnë biznes ndërkombëtar, shpesh kombinojnë sigurimet, tregtimin e instrumenteve financiare dhe kontratat ligjore, për të mbrojtur të ardhurat e tyre nga luhatjet e monedhës ose çmimeve.
Ekonomia e tregjeve në zhvillim
Një “ekonomi e tregut në zhvillim” është një komb në zhvillim që zgjeron ndërveprimin me tregjet ndërkombëtare. Ekonomitë e tregjeve në zhvillim shfaqin disa tipare të tregjeve të zhvilluara. Ato zakonisht kanë institucione moderne financiare, rritje të tregtisë, Investime të Huaja Direkte dhe rritje të likuiditetit të tregut të kapitalit. Edhe pse ka dallime mes tyre, rreth 20 vende janë kategorizuar si ekonomi në zhvillim. Vende të tilla janë Argjentina, Brazili, Bullgaria, Kili, Kina, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, India, Indonezia, Letonia, Lituania, Malajzia, Meksika, Peruja, Filipinet, Polonia, Rumania, Rusia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Tajvani, Tajlanda, Turqia dhe Ukraina.
Pse po ndodh inflacioni në tregjet në zhvillim
Një arsye për inflacion më të lartë në vendet me tregje në zhvillim, është se shumë prej këtyre vendeve po përjetojnë rritje ekonomike më të shpejtë se sa ekonomitë e përparuara. Rritja e shpejtë mund të rezultojë në kërkesë të tepërt dhe një hendek pozitiv të prodhimit. Një efekt anësor i kësaj është inflacioni i shtyrë nga kostoja, i cili shkaktohet nga rritja e kërkesës për lëndë të para në mbarë botën. Rimëkëmbja globale e zinxhirit të furnizimit (mallrave) nga masat bllokuese të Covid-19, ka qenë më e ngadaltë se sa pritej. Konflikti i Ukrainës ka ulur furnizimin me naftë dhe atë ushqimor. Një faktor tjetër ka qenë zgjerimi i shpejtë i ofertës së parasë në SHBA gjatë dy viteve të fundit, që është nxitur nga programet e mëdha stimuluese të qeverisë dhe nga lehtësimi monetar nga Rezerva Federale, hapa të ndërmarrë me synimin për të ndihmuar rimëkëmbjen nga COVID-19.
Planifikimi financiar dhe inflacioni
Pritshmëritë për inflacionin janë një pjesë thelbësore e zhvillimit të një plani financiar, sepse inflacioni ndikon në kostot e shpenzimeve të jetesës, sigurimet shoqërore dhe kthimet e pritura nga investimet. Disa planifikues përdorin parashikime për normat e ardhshme të inflacionit. Pritshmëritë e normës së inflacionit për të ardhmen, mbështeten në të dhënat historike dhe në arsyetimin racional se, meqenëse është e pamundur të parashikohet inflacioni, përdorimi i një numri të mbështetur në realitet (d.m.th., të dhënat aktuale historike), ka të ngjarë të jetë një opsion më i mirë dhe do të kishte më pak rrezik. Një arsyetim i ngjashëm vlen edhe për pritshmëritë e kthimit të investimeve: parashikimet e gabuara mund të dëmtojnë seriozisht një plan financiar. Një pjesë e madhe e hartimit të një plani financiar, është analizimi i të dhënave historike dhe aktuale për të hartuar vlerësime të mirëmenduara dhe të arsyeshme dhe për të ulur rrezikun sa më shumë që të jetë e mundur.