Siguria e parave në banka, raportojnë Tahiri e Sejko. Forcohen masat mbrojtëse

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, raportuan në një mbledhje me dyer të mbyllura në Komisionin e Ekonomisë, në lidhje me masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë fizike të bankave dhe transportit të vlerave monetare. Pas mbledhjes, kryetari i komisionin Erion Braçe tha se, brenda tetorit do të hyjnë në fuqi masat e reja. “Të gjitha masat e reja të sigurisë përfshijnë qoftë sigurinë e mjeteve, qoftë shërbimin e rojeve fizike, apo shoqërive fizike, qoftë edhe elementë të tjerë sigurie të gjurmimit të vlerave monetare që transportohen, apo të atyre që në një moment të caktuar sulmohen apo goditen në selitë e bankave”, u shpreh Braçe. Braçe deklaroi se do të ketë monitorim të vazhdueshëm nga Banka e Shqipërisë për masat e sigurisë. Ndërsa Policia e Shtetit do të shtojë verifikimet në lidhje me shoqëritë e sigurimit fizik të bankave. Braçe shtoi se depozitat e qytetarëve janë të siguruara në çdo rast. “As nuk bëhet fjalë për sigurinë e depozitave të qytetarëve në këtë rast. Bëhet fjalë për masa shtesë sigurie me qëllim që të ulen në zero rastet e veprimtarisë kriminale në transport. Ky është synimi i Policisë së Shtetit”, u shpreh më tej Braçe. Vitet e fundit janë realizuar disa grabitje të mjeteve që transportojnë paratë e bankave, në shuma të konsiderueshme që i kalojnë disa miliona euro. Rasti më domethënës për këtë vit ishte ai i grabitjes brenda Aeroportit të Rinasit.

Artikulli paraprak“MBETJET”,BASHA KERKON REFERENDUM.RAMA:RREZIK IMAGJINAR
Artikulli tjetërRAKETA RUSE SHKAKTOI TRAGJEDINE E MH17,VDIQEN 298 PASAGJERE