Siguria në zgjedhje, masat e policisë
Policia e shtetit garanton opinionin publik se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 qershorit. Mbi 7.000 efektivë janë trajnuar për detyrat konkrete gjatë procesit ndërkohë që i është dhënë një porosi veçantë të gjithë uniformave blu. “Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit janë realizuar takime me personelin policor të strukturave vendore duke ju bërë të qartë dhe tërhequr vëmendjen që: “Punonjësit e policisë të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të barabartë dhe paanshmëri politike, pa diskriminim dhe vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore e kushtetuese të njeriut”, tha Alda Prela, specialiste për mediat. Policia ka marrë masa edhe për garantimin e fushatës zgjedhore dhe shmangjen e incidenteve gjatë aktiviteteve politike, duke bashkëpunuar me njësitë e qeverisjes vendore dhe policitë bashkiake edhe për kryerjen e detyrave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor lidhur me heqjen e materialeve propagandistike të afishuara jashtë vendeve të përcaktuara. Po ashtu masa janë marrë edhe për zgjedhjet për bashkinë e Kavajës që do të zhvillohen në të njëjtën ditë ndërkohë që policia e shteit bën thirrje të denoncohet çdo qëndrim e sjellje jo korrekte nga punonjësit e policisë.