Drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës e nisi në qendër të qytetit nismën sensibilizuese për sigurinë rrugore.
Me bashkëpunimin e nxënësve të shkollave dhe emergjencave civile, në rrugët e Shkodrës u shpërndanë fletëpalosje dhe u improvizuan momente kur duhet respektuar kalimi, kjo pasi statistikat tregojnë se numri më i lartë i personave që përfshihen në aksidente janë këmbësorë ose drejtues të biçikletave.
Sa i përket bllokimit të korsive të biçikletave në qytetin e Shkodrës, shefi i sektorit të policisë rrugore tha se fillimisht është detyrë e policisë bashkiake lirimi i këtyre hapësirave përpara se të ndërhyjë policia rrugore. Mesatarisht 3500 njerëz humbin jetën në një ditë në mbarë botën si pasojë e përfshirjes në aksidente rrugore. Vendi ynë i është bashkëngjitur nismës globale për javën e sigurisë rrugore, edhe pse statistikat e aksidenteve në Shqipëri mbeten shqetësuese.