Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u komunikoi sot punonjësve të Forcave Speciale në Policinë e Shtetit vendimin e qeverisë për sigurimin shëndetësor të posaçëm.
“Ky është një angazhim politik i kësaj mazhorance dhe qeverie, që shteti të marrë përsipër sigurimin shëndetësor të posaçëm për Forcat Speciale të Policisë, RENEA-n, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Forcat Operacionale, të cilat kanë një detyrë të vështirë në operacione të vështira, me rrezikshmëri të lartë. Ata përballen me kriminalitetin në situata tepër të rrezikshme. Ndaj ne përmbushim sot një angazhim themelor të programit tonë lidhur me sigurinë në vend dhe trajtimin e punonjësve të Policisë”, deklaroi Tahiri. “Ne mbushim këtë boshllëk 20 e kusur vjeçare, duke i kushtuar vëmendjen maksimale forcave speciale të Policisë së Shtetit. Janë djem e vajza që na bëjnë krenarë të gjithëve e që bëjnë operacione shumë të vështira. Por, këtë krenari të shoqërisë dhe qytetarëve, Qeveria po e kthen me mbështetje për të gjithë anëtarët e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit. E nisëm me rritjen e pagave në 2014. Kemi vijuar me përmirësimin e infrastrukturës – pas meje është godina e re e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Vazhduam sërish këtë vit me rritjen e pagave. Kemi përmirësuar kushtet e punës, nga mjetet tek infrastruktura. Sigurimi shëndetësor i posaçëm është një mënyrë për të garantuar që punonjësit e Policisë nuk janë dhe nuk do jenë vetëm. Qeveria është dhe do jetë aty, për t’i ndihmuar dhe për të ndarë bashkërisht rrezikun e punës së tyre. Pra dua ta theksoj: është një angazhim i përmbushur. Si shumë të tjerë edhe ky është ndër angazhimet që morëm në vitin 2013 e inkorporuam në programin e qeverisë dhe sot e bëjmë realitet. Unë dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë për vëmendjen e posaçme të qeverisë lidhur me trajtimin e tyre. Ne besojmë që ky vend mund të jetë shumë më i sigurt. Policia mund të shërbejë për qytetarët shumë më mirë vetëm atëherë kur punonjësit e Policisë nuk kanë probleme me trajtimin, me pagën, me infrastrukturën, me kushtet e punës. Sepse punonjësit e Policisë nuk mund të bëjnë një luftë të dyfishtë edhe me kriminalitetin edhe me harresën apo lënien pas dore nga qeveria. Ndaj kjo ka qenë bindja jonë. Ky ka qenë angazhimi ynë dhe këtë e kemi bërë realitet dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Unë e kuptoj që nuk është gjithçka ka nevojë Policia sot. Por, është pa asnjë dyshim shumë më shumë nga çka qenë në të kaluarën. Dhe është rruga më e mirë për të garantuar atë që do bëjmë në vazhdim”, shtoi Tahiri.