DHURATAT DHE USHQIMET E MREKULLUESHME SIMBOLIZOJNË KËTË FESTË TË SHENUAR .Festa e Krishtlindjeve është një nga kremtet më të rëndësishme në kalendarin festave të krishtera. Ajo kremtohet dhe festohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.
Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.Por përveç anës spirituale dhe fetare festa e krishtlindjeve vjen në mbarë botën si një nga festat më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Përgatitjet për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë.