Në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” i njohur sanatoriumi është hapur një pavjon i posaçëm qe merret me trajtimin e pacientëve post- Covid.

Sipas burimeve të brendshme vendimi për të hapur njësinë e posaçme të trajtimit post-Covid erdhi nga kërkesat e larta për shtrime në këtë kategori.

Rreth 40% e shtrimeve ditore në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, janë post-COVID dhe zakonisht janë personat që e kanë kaluar COVID me simptoma të rënda, benë të ditur burimet nga Sanatoriumi. Këto pacientë shpesh vuajnë nga fibroza pulmonare, e cila dëmton dhe shformon indet e mushkërive. Indet trashen, ngurtësohen e për rrjedhojë dëmtojnë frymëmarrjen normale.

Dëmtimi i mushkërive i shkaktuar nga fibroza pulmonare nuk mund të riparohet, por ilaçet dhe terapitë ndonjëherë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Personat me fibrozë pulmonare preken shpesh nga kolla e thatë, kanë lodhje sistematike, humbje në peshë. Në varësi të simptomave tek disa persona, përkeqësimi është i monitorueshëm dhe zgjat me vite, ndërsa disa persona përkeqësohen më shpejt. Shpesh këta persona kanë nevojë për trajtim spitalor.

Mjekët pneumologë shprehen se fibrozat janë tipike në rastet Post-COVID. Në ardhmen do të ketë rritje të mëtejshme të rasteve, për shkak se vala e infeksioneve me COVID po vijon.

Fibrozat në mushkëri Post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë.

Të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se rreth 20 mijë persona po vuajnë “COVID-in e gjatë”. Ata po vuajnë nga pasojat direkte dhe indirekte të sëmundjes, të tilla si dëmtime të mushkërive, lodhje kronike dhe dëmtim të sistemit nervor dhe çrregullime psikike. Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit dhe po cilësohen nga sistemet shëndetësore si sindromi “post-COVID”, ose “Long COVID”.

Teksa sistemi shëndetësor në vend është në betejë frontale për të përballuar trajtimin e drejtpërdrejtë dhe zvogëlimin e barrës akute të COVID-19, po jepen sinjalet e para, pandemia po rrit barrën e sëmundjeve.

Përvec dëmit në mushkëri, Covid-9 ka shkaktuar probleme të shëndetit mendor. Shtrimet në spitalin psikiatrik janë rritur me rreth 40% këtë vit.

“Nature”, një revistë javore ndërkombëtare, që boton kërkimet më të mira në të gjitha fushat e shkencës, në gusht të këtij viti publikoi një mega studim se si COVID-19 lë 55 efekte afatgjata te personat e prekur.

55 efektet afatgjata u vlerësuan nga 21 meta-analiza ku u përfshinë 47,910 pacientë (mosha 17-87 vjeç). Studimi përcaktoi si “COVID të gjatë” periudhën nga 14 deri në 110 ditë infeksion pas virusit. Rezultatet treguan se 80% e pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2 zhvilluan një ose më shumë simptoma afatgjata.

Pesë simptomat më të zakonshme ishin lodhja (58%), dhimbja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%) dhe dispnea 24% (ndjesi e pamundësisë për t’u mbushur me ajër).

Studimi që publikoi “Nature” tregoi se 80% individëve me diagnozë të konfirmuar COVID-19 vazhdojnë të kenë të paktën një efekt përtej dy javëve pas infeksionit akut./ Monitor

Artikulli paraprakTEMPERATURA DERI NË -5 GRADË, NJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT
Artikulli tjetërSHKENCËTARËT PARALAJMËROJNË: BOTA PO DËSHTON