Protesta e pedagogëve të universiteteve në formë bojkoti të procesit mësimor po vijon pa ndërprerje. Kryetari i sindikatës së punonjësve të universiteteve në Shkodër Peter Saraçi shprehet se ka disa hapa që kanë nisur të ndërmerren nga Ministria e Arsimit dhe janë në pritje për të arritur një marrëveshje për kërkesat që kanë.
Deklaratës së kryeministrit Rama se nuk ka rritje të pedagogëve minimalisht pa kaluar dimri, kreu i sindikatës në Shkodër Saraçi nuk ka dëshirë që t’i përgjigjet në formë replike por nga ana tjetër thotë se janë të hapur nëse qeveria kërkon të bëjë një analizë financiare.
Universitetet publike shprehet Saraçi nuk kanë mundësi që të japin nga buxheti i tyre 8% për rritjen e pagave të pedagogëve dhe ajo që thotë kryeministri sipas tij është e pavërtetë.
Në javën e parë të nisjes së vitit të ri akademik për shkak të këtij bojkoti në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nuk u zhvillua procesi mësimor ndërsa është ende e paqartë se kur mund të mbyllet ky bojkot.