Bashkimi i Sindikatave të Pavaruara Shkodër ka denoncuar mos dhënien e shpërblimit të fundvitit për mjekët e qendrave shëndetësore. Në një deklaratë për mediat Kreu Sindikatës së Shëndetësisë Paulo Kaceri thotë se shpërblimi është ndarë në mënyrë selektive.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme çështja e shpërblimit të fundvitit për mjekët e qendrave shëndetësore është zgjidhur. Mësohet se ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dhënë një urdhër që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër t’i hapë rrugë drejtorëve të qendrave shëndetësore për të kaluar këtë shpërblim që deri më tani ishte i bllokuar. Mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore në Shkodër firmosën një peticion drejtuar kryeministrit Rama, ministrisë së shëndetësisë dhe institucioneve të tjera duke i bërë të ditur se nuk ishin dakord që ai shpërblim të mos jepej.

Po ashtu mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore paralajmëruan bojkot total të punës në 1 janar e mbrapa në rast se kjo situatë nuk do zgjidhej duke vënë në lëvizje ministrinë e shëndetësisë duke e cilësuar të pakuptimtë faktin që ky shpërblim përse nuk jepej vetëm në Shkodër në një kohë që në qytetet e tjera është shpërndarë. Tashmë kjo situatë është zgjidhur dhe qendrat shëndetësore të Shkodrës do të marrin shpërblimin që u takon.

 

Artikulli paraprakOFICERËT E RINJ TË POLICISË DHURATA FËMIJËVE NË SPITAL
Artikulli tjetërNASA I JEP LAMTUMIRËN PELESË ME NJË FOTO TË NJË GALAKTIKE NË NGJYRAT E BRAZILIT, AGJENCIA HAPËSINORE NDERON “MBRETIN E LOJËS SË BUKUR”