Armëpushimi i ri mbarëkombëtar mes forcave qeveritare dhe grupeve rebele në Siri po mban, pavarësisht disa përplasjeve të izoluara që u raportuan pas hyrjes së tij në fuqi mesnatën e së enjtes.
Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e Rusisë dhe të Turqisë përfshin një sërë grupesh të armatosura opozitare, por jo xhihadistë si ata të Shtetit Islamik dhe as njësitë luftarake kurde YPG. Nëse pushimzjarri do të rezistojë, atëherë muajin e ardhshëm në Kazakistan është llogaritur të mbahen bisedimet e paqes të drejtuara edhe këto nga Moska dhe Ankaraja. Shumica e Sirisë kaloi një natë të qetë, por sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut përleshje të ashpra mes rebelëve dhe trupave qeveritare u regjistruan në provincën veriore te Hama-s. Kreu i grupit të të drejtave të njeriut me seli në Londër, Rami Abdel Rahman i tha AFP-se se grupe të vogla kryengritësish dhe luajalistë të armatosur po përpiqen të shkatërrojnë armëpushimin sepse praktikisht, ai i jep fund pranisë së tyre në vend. Të paktën 300 mijë vetë besohet të jenë vrarë në luftimet që pasuan revoltën popullore kundër Bashar Al Assadit marsin e vitit 2011. Për shkak të konfliktit, 4 milionë sirianë kanë kërkuar strehim në vendet fqinje ose në shtetet e Europës.