Siri, identifikohen grupet e forcave qeveritare që kanë përdorur gazin klorin

Një hetim ndërkombëtar i ndërmarrë nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) ka identifikuar dy grupe helikopterësh të Forcave Ajrore siriane, si dhe dy njësi të tjera ushtarake, si përgjegjëset për sulmin e shoqëruar me përdorimin e gazit klorin ndaj civilëve. Lajmi publikohet për herë të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”, që mbështetet te një diplomat perëndimor. Gjetjet e hetimit janë bazuar në burime të shërbimeve sekrete rajonale dhe atyre perëndimore, sipas diplomatit në fjalë. “Kanë qenë pikërisht Divizioni i 22-të, Brigada e 63-të, si dhe skuadriljet 255 e 253 të forcave qeveritare siriane”, bën të ditur i dërguari i OKB-së në Siri. Identifikimi i grupimeve specifike të njësiteve ushtarake përgjegjëse për sulmin me armë kimike mund të forcojë edhe më tejë shtysën e disa anëtarëve të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të kërkuar një kundërpërgjigje të fuqishme të fokusuar në sanksione dhe përgjegjshmërinë e autorëve. Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka mohuar të ketë përdorur gazin toksik në fushëbetejë, ndërsa ka thënë se do të bashkëpunojë me “OPCW”-në, mbikëqyrësin e armëve kimike nëpër botë, mbi akuzat se regjimi ka përdorur gazim helmues dhe vdekjeprurës në zonat e kontrolluara nga kryengritësit gjatë luftës civile siriane. Duke iu përgjigjur rezultateve të reja të hetimit, një burim i ushtrisë siriane tha për “Reuters” se, “Shteti i Sirisë dhe ne, ushtria e arabëve sirianë, e kemi thënë më shumë se një herë se, ushtria nuk ka përdorur dhe nuk do të përdorë ndonjë armë të ndaluar ndërkombëtarisht, përfshi këtu armë kimike apo helmuese”. Sipas tij, “kjo çështje është tërësisht e pavlefshme, pasi nuk është bazuar në vërtetësi. Ne konsiderojmë se Kombet e Bashkuara po përdoren si një mjet në duart e disa vendeve që përkrahin terroristët”, tha burimi në fjalë, duke shtuar se OKB-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Sirisë për të hetuar përdorimin e dyshuar të armëve kimike nga kryengritësit. Si pjesë e hetimit njëvjeçar të kryer mes OKB-së dhe “OPCW”-së, që ka analizuar raportimet për sulme mes 11 prillit 2014 dhe 21 gushtit 2016, pritet të dorëzohet javën e ardhshme në Këshillin e Sigurisë edhe raporti i katërt. Raporti i tretë, i publikuar në gusht, fajësonte trupat e qeverisë siriane për dy sulme me gaz klorin, ndërsa militantët e Shtetit Islamik për përdorimin e gazit mustard në një rast. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky raport i katërt do t’ia bashkëngjisë fajin ndonjë individi. Hetimi është fokusuar në 9 sulme në zona të ndryshme të Sirisë, ku gjetjet e një hetimi të veçuar të “OPCW”-së patën si konkluzion përdorimin e armëve kimike.

Artikulli paraprakZGJEDHJET NE LSI,META E RROKAJ PERBALLE NJERI-TJETRIT
Artikulli tjetërSHQIPERIA NE PANAIRIN E SHTUTGARTIT