Pjesëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), e kanë shkatërruar njërin prej monumenteve më të njohura në qytetin antik sirian, Palmira, kanë raportuar mediat shtetërore.
Agjncia e lajmeve, SANA, ka raportuar sot se objekti romak Tetrapylon, me 16 shtylla, dhe fasada e amfiteatrit të shekullit të dytë, janë shkatërruar. Këto rrënime janë konfirmuar edhe nga shefi për antikitete i Sirisë, Maamoun Abdulakrim. Zoti Abdulkarim tha se objekti Tetrapylon ishte shkatërruar para 10 ditëve. “Dje ne morëm fotografi satelitore nga kolegët tanë në Universitetin Boston, ku shihet dëmi i fasadës së amfiteatrit romak”, i tha Abdulkarim agjencisë AFP. Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka riokupuar këtë lokalitet arkeologjik të trashëgimisë botërore nga forcat qeveritare në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nëntë muaj pasi ekstremistët ishin përzënë nga forcat qeveritare dhe milicitë aleate. IS-i fillimisht e kishte okupuar qytetin Palmira në maj të vitit 2015 nga ushtria e Sirisë. Tashmë dihet se IS-i i ka shkatërruar edhe monumentet të tjera para se ishte detyruar të tërhiqet nga një ofensivë e forcave qeveritare me mbështetjen e Rusisë.