Rreth 90 persona, mes të cilëve shumë fëmijë, kanë mbetur të vrarë në dhjetëra sulme ajrore siriano-ruse mbi Alepo dhe rrethinat e tij.
Sipas televizionit arab Al Jazira, në një nga këto sulme, në fshatin Beshkati në perëndim të Alepos, janë vrarë 12 anëtarë të një familjeje, mes të cilëve 6 fëmijë, të mitur dhe adoleshentë. Bombardimet qeveritaro-ruse në Siri rifilluan në agim dhe vunë në shënjestër pjesën lindore të Alepos, e kontrolluar nga rebelët dhe e rrethuar nga forcat besnike të Assad. Sipas gazetarëve në terren, në dy orët e fundit janë bombarduar rëndshëm lagjet Katerji, Majsar dhe Karm Tahan. Burimet saktësojnë se zona ku ndodhet kampi i refugjatëve palestinezë, Handarat, është përfshirë nga bombardimet dhe për pasojë shumë civilë kanë humbur jetën. Ndërkohë, llogaritet se mbi 6 mijë persona, pjesa e dërrmuese e të cilëve militantë të ISIS, janë vrarë në Siri në dy vitet e fundit nga aksionet e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Të dhënat janë publikuar nga Observatori Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Siri, ONDUS, që saktëson se nga 6.213 të vrarë, 5.357 janë militantë xhihadistë dhe 611 civilë.