Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë, Partia Demokratike vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në 61 bashkitë e vendit.
Selia blu pa humbur kohë ka vendosur të thërrasë këtë të martë mbledhjen e Këshillit Kombëtar në orën 18:00 për të diskutuar thellësisht mbi aksionet e radhës së opozitës, e cila ka theksuar se largimi i kryeministrit Edi Rama është kushti i panegociueshëm .
Sipas PD-së, Aleanca Qytetare do të synojë bashkimin intelektual dhe qytetar, me qëllim ndërgjegjësimin mbarëkombëtar për rrezikun që i kanoset rendit demokratik.
“Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.
Kjo Aleancë do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues”- theksoi dje Kryesia e PD.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ripërsëriti faktin se nuk do të bëhet pjesë e pazareve politike, ndërsa tha se do të vijojë të jetë në krye të betejës për ta çliruar Shqipërinë nga “kthetrat” e Edi Ramës.