Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një përmbledhje të situatës me të cilën u përball vendi ynë nga përmbytjet, pas rreshjeve intensive të shiut.
Rama tha se shteti është vënë totalisht në lëvizje për situatën dhe se pasojat këtë herë kanë qenë shumë më të pakta, në raport me pasojat nga koha kur binte shumë shi, përpara qeverisjes socialiste.
“Kemi qenë të kujdesshëm për të parë motin. Ministri i Brendshëm ka ndarë me mua situatën, edhe Ministria e Bujqësisë ka pjesën e vet në bilanc. Bashkë me ne do ishte mirë që të ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, që nuk është e pranishme, për shkak të një angazhimi tjetër. Këta tre ministra kanë qenë në përballje dhe kanë shumë për të thënë për rezultatin.
Bazuar në sasinë e reshjeve me tëë cilat jemi përballur këtë herë dhe bazuar me shifra krahasimore me reshje në të shkuarën, ne do sjellim pasqyrën e situatës, që lidhet me punë të përditshme për këtë ditë, që lidhet me investimet e mëdha që janë bërë në sektorin e kullimit, që lidhet me reformën të gjithë strukturë dhe varësisë së Emergjencave Civile dhe ngritjen e shtetit në nivel tjetër, duke funksionuar të gjitha hallkat shtetërore, që nga ministri i Mbrojtjes tek kryeplaku”, tha Rama.
Edi Rama vlerësoi se situata ishte kritike nga përmbytjet nga Liqeni i Shkodrës deri në Vjosë, kurse shtoi se e mira nuk ka fund.
“Situata ka qenë kritike nga Liqeni në Shkodër deri poshtë në Vjosë. Ky rast na dha shembull se duhet patjetër të punojmë përherë sa më mirë. Sigurisht e mira nuk ka fund, por nuk krahasohet përmbytja e madhe dikur dhe ajo që ka ndodhur sot.
Sot kemi bërë shumë punë. Kaskada e Skavicës do vihet në funksion dhe do mbyllë frikën dhe do balancojë kaskadën, duke bërë që çdo pikë uji të kthehet në energji. Ne fituam sfidën e menaxhimit, edhe falë vëmendjes 24 orë në 24 të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe aftësisë profesionale të drejtorit të KESH-it, Benet Beci”, deklaroi Rama.