Situata në Maqedoni, Meta bën apel për distancim nga dhuna
Në lidhje me ngjarjet e ndodhura pasditen e kësaj të enjteje në Maqedoni, ku situata degjeneroi në dhunë pas zgjedhjes së kryeparlamentarit shqiptar Talat Xhaferi, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Meta shprehu shqetësimin e tij të madh për situatën e krijuar në Maqedoni, ndërsa u bën apel autoriteteve vendase të distancohen nga dhuna, si dhe të marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës dhe pasojave të saj. “Stabiliteti i Maqedonisë mbetet shumë i rëndësishëm dhe kyç për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe të ardhmen e tij. Në këto momente vendimtare dhe kritike për Maqedoninë dhe për rajonin kërkohet maturi, qetësi, dialog politik dhe veprime, të cilat t’i shërbejnë rikthimit të paqes sociale dhe normalizimit të situatës”, shprehet kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Nga dhuna e ushtruar prej protestuesve nacionalistë maqedonas mbetën të lënduar kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, kreu i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, si dhe rreth 15 deputetë në total, sipas deklaratave të LSDM-së.