Parlamenti i Kosovës, nuk e miratoi një rezolutë të propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë për situatën në veriun e vendit me të cilën u kërkohej institucioneve qendrore hapjen e dialogut me serbët e Kosovës për rikthimin e tyre në institucione.
Rezoluta ishte pjesë e interpelancës së thirrur nga kjo parti pasi që nga pesë nëntori në veri nuk ka punonjës serbë në institucione pas vendimit të përfaqësuesve serbë të mbështetur nga Beogradi për t’i braktisur të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të qeverisë për konvertimin e targave të makinave.
“Tani po të pyes. Si do e kthesh normalitetin në veri ti, demagogët e tu dhe të gjithë që i ke këtu, apo do shkosh të negociosh me Serbinë normalizimin e gjendjes në vendin tënd, në kuadër të normalizimit, pra të marrëveshjes finale”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Jam duke folur për shtet dhe jo për popullizëm, data e pesë nëntorit është ora më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës ku çka është ndërtuar nga viti 2008 është shembur me katër e pesë nëntor”, tha Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës.
Një javë më parë Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.
Kryeministri Albin Kurti tha se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.
“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim Professional të atyre që i duan ato vende të punës dhe natyrisht që të gjithë janë të mirëseardhur”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se është hapur rruga për përshpejtimin e procesit të arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se është në dorën negociatorëve që të çojnë përpara këtë proces. Ai tha se propozimi evropian që u bë i njohur si plani frako-gjerman, është bazë e mirë për diskutime por ka shumë gjëra që duhet të diskutohen e më të cilat nuk pajtohet.
“Propozimi i Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë bashkangjitur po ashtu në mbështetje të këtij propozimi nuk është merre ose leje, unë e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të por nuk është merre ose leje. Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet”, tha ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se në situatën aktuale botërore, Kosova duhet të kërkojë marrëveshje përfundimtare.
“Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për obligime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri. Dhe mbi të gjitha duhet të ecë ngushtë, shumë ngushtë me aleatët tanë SHBA dhe BE por para se gjithash Kosova duhet të jetë e përbashkuar brenda spektrit politik”, tha ai.
Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin tensionet dhe të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara./VOA