Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar deklaratat e bëra dje nga ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj sa i takon përgjegjësisë për inceneratorët.

Ai tha se Ahmetaj ka të drejtë për faktin se nuk mund të lëvizte ai qeverinë.

“Përgjegjësia absolute për aferën e inceneratorëve, ka vetëm një emër; Edi Rama! Arben Ahmetaj iu tha shqiptarëve dje të njëjtën gjë; nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëvizja qeverinë. Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ai ka të drejtë. Kam qenë kryeministër, dhe qeverinë mund ta lëvizë vetëm ai, kryeministri. S’ka tjetër përveç tij që të mbledhë 17 dokumente për 24 orë. Siç ka ndodhur. Askush nuk mund të lëvizë të gjitha zyrat e administratës, për të grumbulluar dokumente, apo 17 dokumente të firmosura në një ditë. Çfarë tregon kjo?!

Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë ju them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën. Mos bëj gjykatësin i tha Edi Ramës. Ai zgjodhi këtë argument në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë. Arben Ahmetaj është i implikuar, nuk ka diskutim, ua them unë ju, por njëshi në distancë nga të gjithë të tjerët është Edi Rama.
Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme.

Një kryeministër e firmos këtë kontratë vetëm kur e ka personale, kur ai është i verbuar nga pasuria që mund të grabisë me këtë kontratë dhe harron çdo gjë. Pushteti i çdo kryeministri mbaron aty ku fillon ligji dhe Edi Rama nuk thotë dot që nuk e dija sepse Edmond Ahmetaj i Prokurorimeve Publike ia çoi dy herë me shkrim. Kjo metodë e negociatave të mbyllura nuk ekziston në ligjin shqiptar dhe nuk praktikohet.”, tha Berisha.

Ai theksoi se ka një moment të cilin vetëm Edi Rama mund ta lëvizte askush tjetër, fondin rezervë të këshillit të ministrave.

“E vërteta është dhe këtu është Arben Ahmetaj brenda se dje u hoq sikur është dorë jashtë. Jo nuk është dorëjashtë se ai ka firmosur për fondin rezervë të këshillit të ministrave, ka zbatuar një urdhër të paligjshëm dhe ai që zbaton një urdhër të paligjshëm është përgjegjës. Ahmetaj në intervistën e tij ia numëroi ku e meritonte Erion Veliajt dhe aty Arben Ahmetaj ka të drejtë. U thotë se nuk kam firmosur për Elbasanin, nuk kam firmosur për Tiranën. Për Tiranën i sigurt që nuk ka firmosur”, tha Berisha.

Kreu i PD deklaroi më tej se Erion Veliaj nga ana ligjore, pas Edi Ramës është njeriu me ligj më kryesor.

“Sepse djegësi i Tiranës ishte 120 mln euro, në një kohë kur Elbasani dhe Fieri shkonin 50 mln euro. Erion Veliaj shkeli çdo ligj që ajo të bëhej realitet. Firmosi vendime që i takonin këshilli, sikur i kishte marrë ai, kur nuk kishte marrë asnjë vendim. Firmosi vendime që i takonin qarkut, qarku nuk ishte mbledhur asnjë ditë.

Follow the Money tha Ahmetaj dhe kjo të çon te Erioni dhe Rama. E vërteta Arben Ahmetaj nuk ka firmosur për Tiranën, ka larë duart. Shkruan se ky është një problem i qeverisë vendore dhe sipas tij ka bërë një seri vërejtjesh për këtë çështjes. A mund të quhet i pafajshëm ai që sheh me sy krimin dhe nuk e denoncon. Ahmetaj nuk firmosi për Tiranën, ai thotë dhe për Fierin nuk kam firmosur. Por për Tiranën është njeriu që lan duart, por ministri s’mund të lajë duart. Tani kërkon të fshihet pas kësaj”, tha Berisha.

Artikulli paraprakBERISHA NIS KONFERENCËN ME NJË MINUTË HESHTJE PËR LUFTËN NË UKRAINË: NJË VIT MË PARË, DIKTATORI RUS NISI SULMET PA ASNJË SHKAK
Artikulli tjetërTAKIMI I 27 SHKURTIT PËR DIALOGUN KOSOVË-SERBI, VUÇIÇI: TË RUAJMË PAQEN E STABILITETIN