Skandali i prokurorit, nis hetimi për sekserin, ku përfunduan 18 mijë €
Fatos Lusha oficeri i policisë gjyqësore i filmuar teksa merr 18 mijë euro për një vendim sekuestro shkarkohet nga detyra me firmë të kryeprokurorit të Tiranës dhe të gjitha hetimet që ai ka pasur në proces i kanë kaluar njësisë task forcë të kësaj prokurorie. Oficeri Lusha po ashtu rezulton se prej 48 orësh është shpallur në kërkim policor dhe autoritetet shqiptare I kanë kërkuar ndihmë policisë kosovare për arrestimin e tij pasi dyshohet se ai fshihet në Kosovë. Këto të dhëna janë konfirmuar për ReportTv nga burime pranë grupit hetimorë të cilët kanë nisur këtë të premte drejt Kosovës të dhënat e Lushës dhe disa adresa ku mendohet se ai është strehuar pasi ka lënë Shqipërinë pas publikimit të vidios ku Lusha merr paratë për të liruar nga sekuestro 150 mijë euro të biznesmenit të ndërtimit G.M. Ndaj Lushës prokurorët e krimeve të rënda kanë nisur dhe hetimin pasuror dhe të gjitha pasuritë e tij pritet të kalojnë në sitë. Po ashtu rezulton se prokuroria e krimeve të rënda ka dërguar letër porosi bankave të nivelit të dytë në vend për të sekuestruara të gjitha llogarit e Lushës dhe për të parë lëvizjet në këto llogari nga korriku 2016 e deri ditën e publikimit të video skandalit pasi 18 mijë eurot që ai merr nga qytetari nuk dihet ku kanë përfunduar. Nga ana tjetër prokurori Ardian Braho në emër të të cilit Lusha merr para ka dëshmuar sërish para hetuesve të krimeve duke mohuar se ka marrë para nga Lusha apo ti ketë kërkuar atij të negociojë me qytetarin për të paguar në formë ryshfeti 18 mijë euro. Burime sqaruan se është negociuar me të afërm të Lushës për tu dorëzuar pasi ndaj tij ka nisur hetimet për veprën penale të korrupsionit por oficeri i prokurorisë e ka refuzuar këtë kërkesë