“Është një moment i vështirë dhe i rëndë për të gjithë fëmijët dhe stafin e institucionit tonë”.
Ky është reagimi i drejtorit të shtëpisë së fëmijës shkollore 6-18 vjeç Gëzim Mahmutaj pas ndalimit të 5 punonjësve që punonin aty për ngjarjet tronditëse që dyshohet se kanë ndodhur në atë instuticion. Drejtori Mahmutaj tha se duhet pritur hetimi për të zbardhur të vërtetën se çfarë ka ndodhur me fëmijët e mitur qoftë për dyshimet për keqtrajtim por edhe për abuzimin seksual me tre prej vajzave rezidenciale aty. Drejtori Mahmutaj është mjaftuar me deklaratën duke ia lënë gjithçka hetimeve dhe duke mos dhënë sqarime të tjera për gazetarët. Në shtëpinë e fëmijës shkollore 6-18 vjeç kanë mbërritur një ditë më parë drejtorja e shërbimit social Valbona Tula ndërsa gjatë së enjtes është zhvilluar edhe një mbledhje me shefin e shërbimeve sociale Filip Vila dhe specialisten Jeta Xhabija ndërsa duhet pritur se si do jetë rrjedhja e ngjarjeve pas këtyre dyshimeve të rënda.