Nga Veriu në Jug, përballja për pushtetin vendor premtohet të jetë interesante këtë të diel. Pasi u kanë prezantuar në çdo cep të vendit programet e tyre, tashmë është radha e qytetarëve të japin verdiktin se cilit kandidat do t’i besojnë për 4 vite drejtimin e bashkive, teksa gurët e fundit luhen në qendrat e votimit. Janë në total 144 kandidatë në garën për 61 bashkitë e vendit, në shumicën prej të cilave ka vetëm 2 rivalë në fushë-betejë, të nxjerrë nga 2 forcat që synojnë kryesimin e këtyre zgjedhjeve, Partia Socialiste dhe Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ku mblodhën forcat dy ish kryeministrat e ish presidentët Sali Berisha e Ilir Meta, që rikthehen për herë të parë në një betejë të plotë përballë Edi Ramës.

Partia Demokratike e Alibeajt ka vetë 14 kandidatë, me Roland Bejkon në Kryeqytet dhe të tjerët kryesisht në bashki të vogla. 3, 650, 550 shtetas shqiptarë kanë të drejtë të zgjedhin kryetarin e ardhshëm të bashkisë në 14 maj. Brenda kësaj shifre, 122, 545 zgjedhës do tu drejtohen kutive të votimit për herë të parë Zgjedhësit do të kenë mundësi të hedhin votën e tyre në 5, 211 qendra votimi të shpërndara në 61 bashki të vendit. E drejta e votës nuk mohohet as për ata të cilët kanë një mjet identifikues të skaduar, pasi vlefshmëria e tyre është zgjatur deri në 31 maj.

Si mund të votoni

Sot mund të paraqiteni në qendrën tuaj të votimit nga ora 07:00 deri në ora 19:00. Nëse ende nuk e dini se ku e keni qendrën e votimit mund ta kërkoni KËTU (e-Albania) Para se të shkoni në qendrën e votimit sigurohuni që të keni me vete një dokument identifikimi, (letërnjoftim, ose pasaportë biometrike), të cilin e paraqes përpara Komisionit të Qendrës së Votimit. Komisioni i Qendrës së Votimit verifikon identitetin tuaj dhe më pas ju vendosni gishtin e madh të dorës së majtë në pajisjen eletronike të identifikimit.  Një anëtar i Komisionit të Qendrës së Votimit timbron me një bojë të posaçme gishtin e madh të dorës tuaj të majtë. Pas kësaj Komisionit i Qendrës së Votimit do t’ju pajisë me dy fletë votimi.

Një fletë votimi është për kandidatët për kryetarin e bashkisë dhe fleta tjetër është për votimin për këshillin e bashkisë (në këtë të fundit janë emrat e partive politike, ose koalicionit, ose kandidatit për anëtarë të këshillit të propozuar nga zgjedhësit).  Hyni i vetëm në dhomën e fshehtë.  Në secilën fletë votimi ju do të shënoni me shenjën “x” ose “+” në kuadratin bosh përbri kandidatit për kryetar bashkie, partisë politike, koalicionit apo kandidatit për anëtarë këshilli të mbështetur nga zgjedhësit, që ju dëshironi. Më pas palosni veçmas secilën fletë votimi, në mënyrë që shenja “x” ose “+” të mos jenë të dukshme dhe të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletëve të votimit të jetë e dukshme.  Dilni nga dhoma e fshehtësisë dhe hidhni fletët e votimit në kutitë respektive të votimit.

Të gjithë kandidatët në qarqe

Qarku Shkodër
Në qarkun e Shkodrës, që ka në total 275, 864 votues, votohet në 5 bashki. Kandidatët në Garë janë për Bashkinë e Shkodrës Bardh Spahia i opozitës dhe Benet Beci i PS, për Malësinë e Madhe Tonin Marinaj dhe Isa Rama, për Pukën Gjon Gjonaj i socialistëve dhe Rrok Dodaj I Bashkë fitojmë. Fusha-Arrëzi do të zgjedhë mes 2 kandidatëve: Fran Tucit të PS dhe Hilë Currit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Vau i Dejës është e vetmja bashki e qarkut, ku në garë nuk do të jenë vetëm 2 kandidatë, por përballë Tonin Marinajt të PS dhe Zef Hilës së “Bashkë Fitojmë”, kandidate ka edhe PD Klomentina Drinin.

Qarku i Dibrës
Qarku i Dibrës ka 131, 282 qytetarë me të drejte vote, të cilët do t’i drejtohen 224 qendrave të votimit në katër bashkitë e saj për të zgjedhur kryebashkiakun e ardhshëm. Dibranët janë mes 3 zgjedhjeve vetëm në Bashkinë Dibër, ku PS kandidon Rrahim Spahiu, koalicioni “Bashkë Fitojmë” Ismail Ukën, ndërsa PD Naim Gazideden. Për Bashkinë Mat kandidojnë Agron Malaj e Skënder Gjuci, për Klosin Ilmi Hoxha dhe Bedri Hoxha ndërsa për Bulqizën Festime Mjeshtri e Dëfrim Fiku.

Qarku Lezhë
Qarku i Lezhës ka në total 176, 789 zgjedhës në 3 bashkitë e saj. Për Bashkinë e Lezhës kandidojnë Pjerin Ndreu i PS, aktualisht kryebashkiak ndërsa përballë ka mjekun Bashk Gjoni të opozitës. Për bashkinë e Kurbinit kandidatë janë Majlinda Cara e Behar Haxhiu ndërsa për Mirditën Ndrec Deda e Albert Melyshi.

Qarku Kukës
Qarku i Kukësit, i përbërë nga 3 bashki, ka gjithsej 84,656 qytetarë me të drejtë vote. Sa I takon përballjes për kryebashkiakë, në garë në të treja bashkitë ka vetëm nga dy kandidatë: Në bashkinë kukës kandidojnë Safet Gjici, kreu aktual i Bashkisë, dhe Admir Sinamati I “Bashkë Fitojmë”. Për Tropojën Rexh Byberi dhe Besnik Dushaj, si dhe në Has Halit Mulaj dhe Miftar Dauti.

Qarku i Durrësit
Qarku i Durrësit ka 3 bashki, ku në total ka 368, 201 votues, pjesa më e madhe në bashkinë e Durrësit. Në këtë bashki, kryetarja aktuale Emirjana Sako ka përballë vetëm Igli Carën e Bashkë Fitojmë. Në Shijak kandidon Elton Arbana dhe Rezeart Tusha ndërsa në Krujë Artur Bushi arriti të rikandidonte. Rival ka nga “Bashkë Fitojmë” Agron Lokën.

Qarku i Tiranës
Qarku i Tiranës, më i madhi në vend, ka afro 1 milionë votues, më saktë, 937, 681 qytetarë me të drejtë vote në 5 bashkitë e saj. Bashkia e Tiranës ka edhe numrin më të madh të kandidatëve në vend, Arlind Qorri, Marko Dajti, Lajla Përnaska, Erion Veliaj, Belind Këlliçi dhe Roland Bejko. Bashkia e Vorës ka dy kandidatë, Blerim Sherën dhe Indrit Hoxhën ndërsa Bashkia e Kavajës Redian Kralin dhe Fisnik Qosen. Rrogozhina voton mes Edison Memollës dhe Shkëlqim Hoxhës ndërsa bashkia tjetër e qarkut ku PD zyrtare ka nxjerrë kandidat është Kamza ku gara për kryebashkiak zhvillohet mes Rakip Sulit të PS, Arjan Hoxhën e “Bashkë Fitojmë” dhe Bilbil Bajraktarit të PD-së.

Qarku i Fierit
Fieri, qarku I dytë më I madh I vendit ka në total 408 mijë e 231 votues, të cilët do të zgjedhin kryebashkiakët në Fier, Divjakë, Lushnje, Mallakastër, Patos e Roskovec, ku PD zyrtare ka nxjerrë kandidatë në 3 bashki.

Qarku I Elbasanit
Elbasani ka 351, 455 qytetar me të drejtë vote në 7 bashkitë e qarkut. Në të 7-ta këto bashki gara zhvillohet vetëm mes 2 kandidatëve. Në Elbasan, votat ndahen mes Gledian Llatjas dhe Luçiano Bocit. Në Cërrik kandidojnë ANDIS SALA dhe Servet DUZHA në Belsh Arif Tafani I PS dhe Bedri Qypi, në Gramsh socialistët sollën risi Besjan Ajazin I cili ka përballë Hasim Çekrezin. Në Peqin, kandidojnë Bukurosh Maçi dhe Mustafa Pashja, në Librazhd Mariglen Disha E Shefki Çota Ndërsa Në Përrenjas Nuri Belba E Suzana Topi.

Qarku I Beratit
Me 184 143 votues dhe 276 qendra votimi në Total, Qarku i Beratit ka 5 bashki. Në 2 prej tyre, kandidojnë me emra për kryebashkiakë vetëm PS e “Bashkë Fitojmë”. Për bashkinë Berat kandidojnë Ervin Demo dhe Zija Ismaili, për Skraparin Adriatik Meta dhe Euglen Mustafallari. Në 3 bashkitë e tjera të qarkut, Dimal, Poliçan dhe Kuçovë kandidatë ka dhe PD zyrtare.

Qarku i Korçës
Edhe në 6 bashkitë e qarkut të Korçës Partia Demokratike nuk ka nxjerrë asnjë kandidat, duke lënë në fushë-betejë në pjesën më të madhe të bashkive vetëm kandidatët e PS dhe koalicionit Bashkë Fitojmë. Në 425 qendrat e votimit, 285, 626 qytetarë me të drejtë vote në të gjithë qarkun do të votojnë: në Korcë mes Sotiraq Filos e Ledina Aliollit, në Pogradec krahas Ilir Xhakollit dhe Zini Tollozhinës garon nën siglën e LRE edhe Rezart Laraku, në Maliq Gëzim Topciu dhe Alfred Gega, në Pustec Palë Kolevski dhe Pandi Jani, në Kolonjë Erion Isai dhe Ethem Lumani. Për Devollin, krahas dy kandidatëve të subjekteve kryesore, kandidon si i pavarur Çlirim Hoxha.

Qarku i Gjirokastrës
Qarku I Gjirokastrës, një nga qarqet me popullsinë më të ulët, 122 806 qytetarë me të drejtë vote, votohet në 7 bashki, në 20 Qendra Votimi. në bashkinë Gjirokastër ka 2 kandidatë Flamur Golemi I PS dhe Dorjan Lani i “Bashkë Fitojmë”, në Bashkinë Përmet Alma Hoxha të PS dhe Edmond Komino të opozitës. Për bashkinë Tepelenë Tërmet Peci, Baftjar Imeri dhe Sokol Guga. Në bashkinë Këlcyrë kandidojnë Klement Bomi, Arjan Kasaj dhe Adriatik Spahiu ndërsa në Memaliaj Gjolekë Guci e Albert Malaj. Në libohovë e Dropull kandidojnë për kryebashkiakë vetëm PS e koalicioni I Berishës e Metës.

Qarku Vlorë
Në Qarkun Vlorë ka 7 bashki, me 322 mijë e 817 qytetarë me të drejtë vote që do zgjedhin mes kandidatëve të nxjerrë nga palët politike. Këtij qarku i Përket edhe Himara, e vetmja bashki ku PS nuk ka rival përballë, për shkak se kandidati i Bashkë Fitojmë Fredi Beleri u arrestua për shit-blerje votash.

 

Artikulli paraprakNË ELBASAN, VORË DHE KAMËZ VOTOHET ELEKTRONIKISHT, 30 MINUTA PAS PËRFUNDIMIT TË PROCESIT DALIN REZULTATET
Artikulli tjetërSOT ZGJEDHJET, KU PRITET TË VOTOJNË KRERËT E SHTETIT, LIDERËT E FORCAVE KRYESORE POLITIKE