Disa qytetarë janë dëmtuar nga një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit. Kështu bën me dije kryeministri Edi Rama, i cili thotë se policia ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve, por po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë. Rama u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë marrë mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale.

‘Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale.- shkruan Rama.

Kreu i qeverisë nuk bën të ditur se kujt rast i referohet, por rasti i fundit dhe më i përfolur për mashtrime në emër të personazheve publike është Florian Gjergji. Florian Gjergji i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mendohet që skemën dhe njerëzit i drejton nga Gjermania, ka shfrytëzuar emra të rëndësishëm politikanësh për të marrë para nga biznesmenë të ndryshëm, por në pjesën më të madhe skema e tij është nuhatur dhe policia ka kryer arrestime në flagrancë në momentet që do të bëhej shkëmbimi i parave.

Artikulli paraprakTAKIMI KURTI- VUÇIÇ NË BRUKSEL, OPOZITA KËRKON NGA KRYEMINISTRI I KOSOVËS …
Artikulli tjetërVITI AKADEMIK 2023-2024, INSTAT: 1.9% STUDENTË TË HUAJ TË REGJISTRUAR!